Presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin u takuan sot në Uzbekistan për të diskutuar mbi mundësitë e forcimit të lidhjeve mes dy vendeve. Takimi vjen ndërsa Moska ka pësuar humbje të mëdha në fushën e betejës në Ukrainë. Zoti Putin vlerësoi atë që e quaji qëndrim të balancuar të Pekinit mbi Ukrainën. Megjithatë presidenti rus pranoi se Pekini kishte pyetje e shqetësime mbi këtë çështje. Ai tha se Moska i kupton ato dhe është e gatshme të shpjegojë pozicionin e saj. Në një reagim të tij sot, Koordinatori për Komunikime Strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë John Kirby i kërkoi Kinës të mos mbështesë Moskën në luftën e saj në Ukrainë.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping shfrytëzuan për t’u takuar, një mbledhje të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, një aleancë sigurie prej tetë vendesh, e cila përfshin gjithashtu Indinë, Pakistanin dhe disa vende ish-sovjetike, e krijuar si kundërpeshë ndaj ndikimit të Uashingtonit. Gjatë një fjalimi në fillim të bisedimeve të tij kokë më kokë me presidentin Xi, zoti Putin kritikoi atë që ai e quajti, përpjekje e shëmtuar e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për të ruajtur dominimin e perceptuar global.
“Përpjekjet për të krijuar një botë njëpolare kohët e fundit kanë marrë një formë absolutisht të shëmtuar. Ato janë absolutisht të papranueshme për shumicën dërrmuese të botës”, tha presidenti rus.
Udhëheqësi kinez u tregua më i kujdesshëm, duke thënë se së bashku me Rusinë, Kina ishte e gatshme të "paraqiste një shembull të një fuqie botërore të përgjegjshme e të luajë një rol udhëheqës për ta çuar botën me shpejtësi në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe pozitiv".
Takimi i dy presidentëve vjen ndërsa Rusia u detyrua javën e kaluar të tërheqë forcat e saj nga një pjesë e mëdha e verilindjes së Ukrainës për shkak të një kundërofensive të shpejtë të Kievit. Ukraina rifitoi kontrollin e disa fshatrave dhe qyteteve të pushtuara nga Rusia, duke i dhënë goditjen më të madhe të Moskës që kur forcat e saj braktisën planet për të pushtuar kryeqytetin e Ukrainën, në fillimet e luftës.
“Ne e vlerësojmë shumë pozicionin e ekuilibruar të miqve tanë kinezë në lidhje me krizën në Ukraninë”, tha zoti Putin në fillim të bisedimeve të tij me zotin Xi.
Por qartazi presidenti rus pranoi se Pekini kishte pyetje e shqetësime mbi këtë çështje. Ai tha se Moska i kupton ato dhe është e gatshme të shpjegojë pozicionin e saj.
Yun Sun, drejtor i programit për Kinën në qendrën Stimson, një institut kërkimor për çështje globale në Uashington, i tha shërbimit Mandarin të Zërit të Amerikës se “Kina nuk është e përkushtuar të mbështesë luftën e Rusisë në Ukrainë. Kjo nuk do të ndryshojë. Por marrëdhëniet Kinë-Rusi janë shumë më të gjera se vetëm lufta në Ukrainë dhe Kina do t'i avancojë ato”, shtoi ai.
David Sacks, një studiues në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, i tha Zërit të Amerikës se pranimi që zoti Putin bëri se Kina kishte "pyetje dhe shqetësime" në lidhje me sulmin e saj në Ukrainë "është disi befasuese dhe zbulon se potencialisht Kina ka shfaqur disa shqetësime privatisht për sjelljen e Rusisë atje”.
Po sot Shtëpia e Bardhë i kërkoi Kinës që të mos e mbështesë Moskën në luftën e saj kundër Kievit. Në një reagim të tij për rrjetin televiziv CNN, Koordinatori për Komunikime Strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë John Kirby tha se “E gjithë bota duhet të rreshtohet kundër asaj që po bën zoti Putin. Kjo nuk është koha për t'i trajtuar gjërat si normalisht me zotin Putin".
Zoti Kirby tha se mbetet për t'u parë se sa do ta mbështesë Kina luftën e Rusisë, duke vënë në dukje se Pekini nuk ka bërë hapa për ta mbështetur materialisht Putinin ose nuk kishte shkelur sanksionet Perëndimore kundër Moskës.
Në një tjetër intervistë, për rrjetin televiziv MSNBC, zotit Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po përgatiten t'i dërgojnë Ukrainës një paketë të re ndihme ushtarake, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi vlerën dhe kohën se kur kjo ndihmë do t'i dërgohet Kievit.
Takimi Putin-Xi u mbajt në Samarkand, një qyteti i lashtë i Uzbekistanit që dikur lidhte Mesdheun me Kinën përmes Rrugës së Mëndafshit, një pikë me plot nuanca gjeopolitike.
Ky është takimi i parë i tyre që kur Rusia sulmoi Ukrainën. Rusia ka kërkuar që Kina ta lehtësojë atë nga sanksionet ndërkombëtare dhe dëshiron të forcojë lidhjet e saj me Pekinin. Por është një marrëdhënie e pabarabartë. Disa analistë thonë se Kina e sheh Rusinë si një partner politik dhe jo si partner ekonomik.
“Cili është vëllimi i tregtisë mes Rusisë dhe Kinës? A duhet të ishte ky partneri më i mirë i Rusisë, apo jo?! 143 miliardë dollarë! Cili është vëllimi i tregtisë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara? Ata janë kundërshtarë, por ështe 700 miliardë”, thotë analisti politik Alexey Malashenko.
Rusia mund të mos jetë partneri më i madh tregtar i Kinës, por Pekini tani përfaqëson partnerin më të madh politik të Moskës dhe dy vendet ndajnë pikëpamje të ngjashme për Perëndimin dhe rajonin e Azi-Paqësorit.
“Rusia dhe Kina kanë një kundërshtar të rëndësishëm të përbashkët: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet e Uashingtonit me Rusinë janë plotësisht të prishura dhe po përkeqësohen vazhdimisht me Kinën. Kjo natyrisht i afron më pranë njëra-tjetrës Rusinë dhe Kinën”, thotë Kirill Babaev, Drejtor i Institutit për Kinën dhe Azinë Moderne.
Ky është udhëtimi i parë i udhëheqesit kinez jashtë vendit të tij që nga fillimi i krizës së COVID-19, dhe vendimi për të mbajtur takimin në Uzbekistan thekson rëndësinë strategjike të zonës.
“Së pari Azia Qendrore është gjithashtu një rajon tranzit. Së dyti, ka interesa reale ekonomike të Kinës. Kjo është mjaft e qartë. Por ju e dini, kinezët janë si një lloj 'filozofësh të politikës'. Ata e kuptojnë në mënyrë të përsosur gjithsesi se Azia Qendrore nuk do t'i shpëtojë kurrë ndikimit të tyre", thotë zoti Malashenko.
Në kushtet e një Rusie të izoluar nga Perëndimi e një Kine që po has vështirësi të sigurojë një ekuilibër mes politikës dhe biznesit, Moska shpreson të përdorë takimin për të forcuar të vetmen urë që i ka mbetur, që nga vendimi i saj për të sulmuar Ukrainën.