Lidhje

Presidenti Biden, fjalim mbi përpjekjet për t’i dhënë fund kancerit


U.S. President Joe Biden delivers a speech on his "Cancer Moonshot" initiative at the John F. Kennedy Library and Museum in Boston, Massachusetts, Sept. 12, 2022.
U.S. President Joe Biden delivers a speech on his "Cancer Moonshot" initiative at the John F. Kennedy Library and Museum in Boston, Massachusetts, Sept. 12, 2022.

Presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve që të bashkohen për një "qëllim të ri kombëtar", nismën e administratës së tij për t'i dhënë fund kancerit. Në Bibliotekën Presidenciale John F. Kennedy në Boston, Presidenti Biden shfrytëzoi 60 vjetorin e fjalimit të famshëm të ish-Presidentit Kennedy mbi objektivin amerikan të udhëtimit në Hënë për të theksuar synimin e tij për të ulur me 50 për qind vdekjet nga kanceri në 25 vitet e ardhshme.

Në përvjetorin e fjalimit të famshëm të ish-presidentit Kennedy mbi garën hapësinore, Presidenti Biden u bëri thirrje amerikanëve që të bashkohen në përpjekjet për t’i dhënë fund kancerit.

"Presidenti Kennedy vuri një objektiv për fituar garën hapësinore kundër Rusisë dhe për përparim në fushën e shkencës dhe teknologjisë për të gjithë njerëzimin. Ai përcaktoi një qëllim kombëtar që bashkoi popullin amerikan rreth një synimi të përbashkët", tha Presidenti Biden për përpjekjet hapësinore të ish-presidentit Kennedy, duke shtuar se kjo mund të bëhet edhe në përpjekjen për t’i dhënë fund kancerit.

Presidenti Biden shpreson t'i sjellë Shtetet e Bashkuara më afër qëllimit që ai vendosi në shkurt për uljen e vdekjeve nga kanceri në Amerikë me 50% gjatë 25 viteve të ardhshme. Ekspertët thonë se objektivi është i arritshëm, por me investime adekuate.

Presidenti e quajti qëllimin e tij për zhvillimin e trajtimeve dhe terapive për kancerin "të guximshëm, ambicioz dhe plotësisht të realizueshëm".

Presidenti Biden i bëri thirrje sektorit privat që t'i bëjë ilaçet më të përballueshme për amerikanët. Ai tha se përparimet mjekësore janë të mundshme përmes përqëndrimit të përpjekjeve në fushën e hulumtimeve, financimit dhe të dhënave. Ai gjithashtu foli për një studim të ri të mbështetur nga qeveria federale për përdorimin e analizave të gjakut në përpjekjet për të zbuluar shumë lloje të kancerit, që do të përmirësonte në mënyrë dramatike zbulimin e kancerit në fazat e tij të hershme.

“Kjo nismë kundër kancerit është një nga arsyet e kandidimit tim për president. Ajo është pjesë e axhendës sime të unitetit që e shtrova në fjalimin mbi gjendjen në vend për të nxitur amerikanët që të punojnë së bashku. Kanceri nuk bën dallimin mes një demokrati dhe republikani. Mposhtja e kancerit është diçka që ne mund ta bëjmë së bashku, dhe për këtë arsye unë jam këtu”, tha Presidenti Biden.

Sipas vlerësimeve të Shoqatës Amerikane të Kancerit, në vitin 2022 pritet të ketë 1.9 milionë raste të reja me kancer dhe 609,360 njerëz pritet të vdesin nga kjo sëmundje. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë radhitur kancerin si shkaktarin numër dy të vdekjeve në SHBA. Sëmundjet e zemrës renditen të parat.

Kjo është një çështje e ndjeshme për Presidentin Biden sepse djali i tij, Beau vdiq nga kanceri i trurit në vitin 2015. Pas vdekjes së tij, Kongresi miratoi Aktin e Kurave të Shekullit të 21-të, i cili parashikonte 1.8 miliardë dollarë investime për studimin e sëmundjes së kancerit dhe u nënshkrua në ligj në vitin 2016 nga Presidenti Barack Obama.

XS
SM
MD
LG