Lidhje

SHBA, rriten thirrjet tek linja e re telefonike për shëndetin mendor


Një linje e re telefonike mbarëkombëtare për shëndetin mendor, ka rritur numrin e njerëzve që bëjnë thirrje për ndihmë në Shtetet e Bashkuara. Kjo e ka rritur nevojën edhe për specialistë që t’u përgjigjen thirrjeve të njerëzve që po kalojnë probleme të shëndetit mendor, siç njofton nga Kolorado, gazetarja e Zërit të Amerikës, Svitlana Prystynska.

Linja e re telefonike për të ndihmuar me krizat e shëndetit mendor është modeluar sipas numrit tashmë të njohur 9-1-1 në mbarë Shtetet e Bashkuara që ekziston për policinë dhe për urgjenca të tjera. Në një moment krize, thotë këshilltarja e shëndetit mendor Bev Marquez, numri i ri, me vetëm tre shifra, 9-8-8, në vend të një numri të zakonshëm 10 shifror, mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

SHBA, rriten thirrjet tek linja e re telefonike për shëndetin mendor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

“Dy gjëra kanë ndryshuar. E para, numri i ri, e dyta, dikur linja telefonike ishte vetëm për parandalimin e vetëvrasjeve, tani ajo është për të gjitha shqetësimet e shëndetit mendor”, thotë zonja Marquez.

Në Kolorado, shërbimi i ri po financohet nga fondet që qeveria federale ka parashikuar për problemet e shëndetit mendor të shkaktuara nga koronavirusi si dhe nga një takse e re telefoni.

“Kam mbi 25 vjet përvojë, ky është investim i paprecedentë. Nuk ka asnjë pengesë, thirrja është falas, ruhet anonimiteti, mund të përdoret sa herë të keni nevojë dhe do të merrni një përgjigje profesionale”, thotë zonja Marquez.

Thirrjet tek numri i ri 988 përgjigjen nga një këshilltar i trajnuar për krizat e shëndetit mendor, i cili, sipas nevojës, mund të ofrojë kontakte edhe me burime të tjera. Këshilltari Erik Jacobsen thotë se telefonatat bëhen nga njerëzit që mendojnë vetëvrasësjen e deri tek ata që vuajnë nga depresioni, ose përjetojnë ankth.

“Unë e bëjë këtë punë sepse ka ndikim jashtëzakonisht të madh. Ju angazhoheni me njerëz që ndoshta janë duke kaluar ditën më të keqe të jetës së tyre dhe duke qenë i sjellshëm, duke i dëgjuar me vëmendje, ju mund të ndryshoni trajektoren e jetës së një personi tjetër”, thotë zoti Jacobsen.

Ai thotë se hapi i parë është të përpiqesh të vësh veten në vendin e personit që thërret, edhe kur është fjala për një shtatëvjeçar që thotë se është gati të gëlltisë një shishe me ilaçe.

“Duhet të jesh i vëmendshëm gjatë bisedës, duke dëgjuar historinë e tyre dhe duke inkurajuar butësisht atë që ne e quajmë ‘planifikimi i sigurisë’. Në një rast kjo vërtetë e ndryshoi situatën pas një telefonate që zgjati 20 minuta. I njëjti telefonues, dy ditë më vonë thirri përsëri në linjën tonë dhe tha: ‘Nuk e di me kë fola, por atë ditë ai person më shpëtoi jetën”, tha zoti Jacobsen.

Zyrtarët e shëndetit mendor thonë se rritja e telefonatave përfshin fëmijë me prindër të alkoolizuar, çifte që përjetojnë dhunë në familje dhe njerëz me depresion dhe ankth pasi kanë humbur një të dashur nga koronavirusi.

XS
SM
MD
LG