Lidhje

Vdes gazetari i njohur i CNN-it Bernard Shaw


Obit - Bernard Shaw
Obit - Bernard Shaw

Bernard Shaw, spikeri i parë kryesor i lajmeve në kanalin CNN për dy dekada dhe një gazetar afrikano-amerikan pionier, vdiq në moshën 82 vjeçare. Ai njihet më së miri për raportimet e qeta gjatë Luftës së Gjirit më 1991, ndërsa raketat fluturonin rreth tij në Bagdad.

Ai vdiq nga pneumonia të mërkurën në një spital në Uashington, tha Tom Johnson, ish-shefi ekzekutiv i kanalit CNN.

Zoti Shaw ishte në CNN për 20 vjet dhe njihej për qëndrimin e tij të qetë nën trysni. Kjo ishte një shenjë dalluese e punës së tij për rrjetin CNN në Bagdad kur Shtetet e Bashkuara udhëhoqën një operacion për çlirimin e Kuvajtit nga Iraku në vitin 1991.

"Në të gjitha vitet e përgatitjes për t’u bërë spiker lajmesh, një nga gjërat për të cilat u përpoqa të mësoja më së shumti ishte aftësia për të kontrolluar emocionet në momentet më të vështira", tha gazetari Shaw në një intervistë të vitit 2014 me Radion Publike Kombëtare (NPR). “Dhe unë personalisht ndjej se e kalova provën tim të rreptë për këtë në Bagdad.”

Bernard Shaw shërbeu në forcat e marinës amerikane para se të fillonte punën si gazetar në kanalet CBS dhe ABC News, dhe të merrte rolin e spikerit kryesor të lajmeve në rrjetin CNN në 1980.

Ai ishte moderator i debatit presidencial në vitin 1988 midis republikanit George W. Bush dhe demokratit Michael Dukakis. Pyetja e tij e parë për zotin Dukakis, një kundërshtar i dënimit me vdekje, ishte nëse ai do të donte që ky dënim të zbatohej për dikë që do të përdhunonte dhe vriste bashkëshorten e kandidatit demokrat.

Puna e tij mbresëlënëse në Bagdad, me korrespondentët Peter Arnett dhe John Holliman, ishte vendimtare në rritjen e popullaritetit të rrjetit CNN në një kohë kur në rrjetet kabllore të lajmeve dominonin kanalet ABC, CBS dhe NBC.

Bernard Shaw u largua nga gazetaria në moshën 61-vjeçare. Në një intervistë për Radion Publike Kombëtare (NPR) ai tha se pavarësisht të gjitha arritjeve në fushën e gazetarisë, për shkak të të gjitha gjërave që i mungonin gjatë punës, siç ishte familja, "mendoj se nuk ia vleu".

XS
SM
MD
LG