Mbretëresha Elizabeth, monarka më jetëgjatë e Britanisë dhe kryetarja e shtetit për shtatë dekada, vdiq në moshën 96 vjeçare, njoftoi të enjten Pallati Buckingham.
"Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral sot pasdite," tha Pallati në një deklaratë.
I biri i saj, 73 vjeçari Charles, u bë automatikisht mbret i Mbretërisë së Bashkuar dhe kreu i shtetit për 14 territore të tjera, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re. Ai do të njihet si Mbreti Charles III . Bashkëshortja e tij , Camilla, do të njihet si Mbretëresha Bashkëshorte.
Në një deklaratë, Charles e quajti vdekjen e nënës së tij "një moment trishtimi të jashtëzakonshëm për mua dhe të gjithë anëtarët e familjes sime", duke shtuar:
"E di që humbja e saj do të ndihet thellësisht në të gjithë vendin, Mbretërinë, dhe nga njerëz të panumërt në mbarë botën."
Lajmet se gjendja shëndetësore e mbretëreshës po keqësohej, filluan të dalin pak pas mesditës të enjten kur mjekët e saj thanë se ajo ishte nën mbikqyrje mjekësore, duke bërë që familja e saj të nxitonte që të ishte pranë saj në rezidencën e saj në Skoci, Balmoral.
Që nga fundi i vitit të kaluar, mbretëresha kishte vuajtur nga "probleme episodike lëvizjeje", gjë që e detyroi të tërhiqej nga pothuajse të gjitha angazhimet e saj publike.
Paraqitja e saj e fundit publike ishte të martën, kur ajo emëroi kryeministren e re, Liz Truss.
Zonja Truss, tha se vendi "ishte thellësisht i trishtuar" dhe e quajti Mbretëreshën Elizabeth "themelin mbi të cilin u ndërtua Britania moderne."
Në pallatet mbretërore dhe godinat qeveritare në gjithë Londrën, flamuri u ul në gjysmë shtizë.
Qytetarët britanikë jashtë Pallatit Buckingham qanë kur zyrtarët vendosën një njoftim që konfirmonte vdekjen e mbretëreshës në portat prej hekuri të shtëpisë së mbretëreshës në Londër. dhe vendosën dhjetëra buqeta shumëngjyrëshe te portat.
Në Kanada, ku monarku britanik është kreu i shtetit të vendit, kryeministri Justin Trudeau vlerësoi "urtësinë, dhembshurinë dhe ngrohtësinë e saj".
Në Indi, dikur pjesë e perandorisë britanike, kryeministri Narendra Modi shkroi në Twitter: "Ajo personifikoi dinjitetin në jetën publike. I trishtuar nga vdekja e saj."
Presidenti amerikan Joe Biden e quajti atë një "grua shteti me dinjitet dhe qëndrueshmëri të pakrahasueshme që thelloi aleancën midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara."