Në Shqipëri, qeveria akuzoi sot Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e saj të teknologjisë së informacionit, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online. Kryeministri Edi Rama njoftoi në mesditë vendimin për ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet.
“Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror”, deklaroi kryeministri Edi Rama në një dalje të posaçme publike.
Ai shpjegoi se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”.
Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin i është njoftuar me notë zyrtare ambasadës në Tiranë së cilës “i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe personelin e sigurisë”.
Kryeministri Rama deklaroi se “kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar, po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend”.
Kryeministri shpjegoi gjithashtu se qeveria ka informuar “aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë”.
Edhe me herët Shqipëria ka shpallur të padëshirueshëm pjestarë të ambasadës iraniane në Tiranë, përfshirë dhe ambasadorin e saj në vitin 2018, nën dyshimet për përfshirje në “veprimtari që cënojnë sigurinë” e vendit.