Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski e thirri sot Këshillin Kombëtar të Sigurisë lidhur me krizën energjetike në vend, për të parë masat dhe mënyrat e ballafaqimit me pasojat e kësaj krize. Autoritetet në Shkup theksojnë se po bëjnë përpekje për furnizim me energji elektrike për ta kaluar dimrin, “i cili pritet të jetë shumë i vështirë”.
Në takimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë të drejtuar nga Presidenti Pendarovski, krahas anëtarëve të rregullt, morën pjesë dhe referuan ministrat e Financave, të Ekonomisë dhe drejtorët e resurseve energjetike në vend. Ajo që më së shumti i shqetëson drejtuesit shtetërorë është sigurimi i furnizimit me energji, ndërsa bizenset dhe konsumatorët - çmimi i rrymës elektrike.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha pas takimit se periudha më e vështirë pritet pas 1 tetorit dhe se do te pëergatiten të gjitha kapacitet për prodhimin vendor të energjisë elekrtike.
“Sot në Evropë ka kërkesë të madhe për naftë dhe mazut për prodhimin e energjisë elekrtike; megjithatë shteti ynë me të gjitha kapacitetet do të ndihmojë financiarisht rreth çështjes energjetike dhe nuk do të lejojë tronditje nga rritja e çmimeve për konsumatorët familjarë dhe për bizneset e vogla”, tha z. Kovaçevski.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë premton se do të bëjë ç’mos për t’i siguruar energji elektrike konsumatorëve me çmim të arsyeshëm dhe më të lirë nga tregjet e bursës.
Kryeministri maqedonas Kovaçevski dje ishte në Sofje me një delegacion ministrash e drejtorësh të sektorëve energjetik për t’u kërkuar autoriteteve bullgare një transferim pa ndërpreje të energjisë elektrike.
Zoti Kovaçevski thotë se ekzistojnë edhe alternativa të tjera, të cilat po shqyrtohen, por se “Bullgaria paraqet bazën energjetike në rajon sepse ka një central bërthamor që është prodhuesi më i madh i energjisë elekrtike në rajon”. Autoritetet e përkohshme qeveritare në Sofje, nga ana tjetër, presin të marrin një vendim të përshtatshëm në bazë të ligjeve të shtetit por dhe me ato të Bashkimit Evropian.
Maqedonia e Veriut nga 1 shtatori ndodhet në gjendje të krizës energjetike dhe institucionet shtetërore e publike janë urdhëruar të kursejnë rrymën elektrike, ndërsa kjo gjë u rekomandohet institucioneve komunale dhe konsumatorëve familjarë. Ekspertët megjithatë vlerësojnë se me këto masa nuk do të ketë ndonjë përfitim.
Kompanitë ankohen se me krizën energjetike dhe rritjen e pritshme të çmimit të rrymës elektrike do të dëmtohen bizneset e madje se do të ketë edhe falimentime.
Vetëm para dhjetë ditësh qeveria në Shkup njoftoi se nuk do të importonte energji elektrike deri në fund të vitit.