Në një raport që u bë publik të martën, agjencia e OKB-së nuk fajësoi asnjërën palë për dëmet për të cilat Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën. Por agjencia tha se situata është e paqëndrueshme dhe tha se nëse nuk ndalen goditjet, ekziston rreziku për fatkeqësi.
"IAEA rekomandon që granatimet në central dhe në afërsi të tij duhet të ndalen menjëherë për të shmangur çdo dëmtim të mëtejshëm të tij dhe objekteve të lidhura me to," thotë raporti.
Inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, mbërritën në centralin e Zaporizhia më 1 shtator. Ata vlerësuan dëmet në objekt, funksionimin e sistemeve të sigurisë dhe kushtet e punonjësve të centralit që është vënë nën kontrollin rus që nga ditët e para të agresionit në Ukrainë.
Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën si përgjegjëse për bombardimet në zonën pranë centralit bërthamor. Sulmet kanë rritur shqetësimet ndërkombëtare lidhur me mundësitë e një katastrofe bërthamore.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se dy ekspertë të saj do të qëndrojnë në central për të vëzhguar situatën dhe ofruar vlerësime të pavarura.
“Prania e dy ekspertëve të agjencisë bërthamore do të ofrojë informacion të plotë për atë që po ndodh atje, pasi ka deklarata të shumta nga Federata Ruse. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka një mandat teknik nga OKB-ja dhe mendoj se nëse raporti është mjaft i sinqertë, mund të bëhet pikënisje për largimin e rusëve nga vendimmarrja në organizatat ndërkombëtare. Po ashtu do të shërbejë si bazë për vendosjen e sanksioneve ndaj korporatave të mëdha si Rosatom”, thotë Hryhoriy Plachkov, ish-kreu i Inspektoratit Rregullator Shtetëror Bërthamor të Ukrainës.
Kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës tha të hënën se centrali në Zaporizhia ishte shkëputur nga rrjeti elektrik për shkak të bombardimeve ruse.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha përmes një video-mesazhi të hënën se centrali bërthamor ndodhet një hap larg katastrofës.
Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, tha në rrjetin Facebook se kompania shtetërore ukrainase Energoatom nuk ishte në gjendje të bënte riparime ndërsa vazhdonin luftimet rreth centralit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, tha se ishte informuar nga Ukraina se linja rezervë e tensionit nuk ishte dëmtuar dhe se ekspertët pritet ta rilidhin centralin në rrjet gjatë ditëve në vijim.