Lidhje

Biden takime në 2 shtete fushëbeteje për zgjedhjet për Kongresin


Presidenti Joe Biden shkon për herë të tretë në Pensilvani, në më pak se një javë dhe vetëm dy ditë pasi paraardhësi i tij, Donald Trump, zhvilloi atje një tubim çka dëshmon rëndësinë që ka ky shtet fushëbeteje për të dyja palët me afrimin e zgjedhjeve për Kongresin. Vendin e ndajnë nëntë javë nga zgjedhjet që përkojnë me mesin e mandatit të një presidenti.

Zoti Trump mbajti të shtunën në mbrëmje një fjalim në qytetin e Wilkes-Barre-t që ndodhet pranë Scranton, qyteti ku ka lindur zoti Biden. Javën e kaluar vetë presidenti ishte në Wilkes-Barre ku foli rreth rritjes së fondeve për policinë dhe iu kundërvu kritikave të republikanëve ndaj FBI-së lidhur me kontrollin e kryer në shtëpinë e zotit Trump në Florida. Po kështu zoti Biden foli rreth ndikimit që do të kenë masat e reja dypartiake mbi sigurinë e armëve në reduktimin e krimeve të dhunshme.

Dy ditë më pas Presidenti Biden mbajti një falim në Sallën e Pavarësisë në Filadelfia ku denoncoi "ekstremizmin" e mbështetësve më të ashpër të zotit Trump.

Të hënën, ai do të marrë pjesë në festimet me rastin e Ditës së Punës në Miluoki, të Uiskonsit, një shtet tjetër i rëndësishëm, përpara se të udhëtojë drejt në Pitsburgut për paradën që mbahet në këtë qytet.

Shtëpia e Bardhë thotë se Biden do të festojë "dinjitetin e punëtorëve amerikanë". Dita e Punës shihet zakonisht si data e fillimit jozyrtar të vjeshtës por tradicionalisht edhe si një moment kritik në raport me zgjedhjet për Kongresin ku palët përpiqen të tërheqin votues përpara ditës së zgjedhjeve më 8 nëntor. Kjo është dita kur pritet të vendoset se cila parti do të ketë kontrollin mbi Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, apo se kush do të fitojë postet e guvernatorëve në disa prej shteteve më të rëndësishëm të vendit.

Zoti Trump ka mbështetur kandidatët në garat kryesore në të gjithë vendin. Nga ana tjetër zoti Biden ka paralajmëruar se disa republikanë besojnë aq fort tek ‘Trumpizmi’ saqë janë të gatshëm të minojnë vlerat thelbësore amerikane duke e mbështetur atë.

Zoti Biden tha të enjten se zgjedhjet e nëntorit do të jenë një betejë "për shpirtin e kombit", të njëjtin slogan që ai përdori për të fituar zgjedhjet e vitit 2020. Sipas tij "besnikëria e verbër ndaj një udhëheqësi të vetëm dhe një gatishmëri për t'u përfshirë në dhunë politike është fatale për demokracinë”.

Presidenti shtoi se "republikanët që mbështesin MAGA-n po shkatërrojnë demokracinë amerikane", duke iu referuar sloganit të fushatës së zotit Trump "Make America Great Again", “Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”. Ai solli si shembull të saj sulmin e dhunshëm vitin e kaluar në Kapitol.

Gjatë mitingut të tij të shtunën zoti Trump tha se në Filadelfia zoti Biden mbajti "fjalimin më të egër, me më shumë urrejtje e më përçarës të mbajtur ndonjëherë nga një president amerikan".

Ai është tradhëtar i vendit”, tha ish-presidenti.

Të hënën zoti Biden pritet t'i rikthehet një teme që ishte një nga pikat kryesore të fushatës së tij të vitit 2020, rreth asaj se sindikatat e punëtorëve i rikthyen shkëlqimin klasës së mesme, e cila nga ana e saj ndërtoi dhe forcoi shoqërinë moderne amerikane.

Mbështetjet nga sindikatat kryesore e ndihmuan zotin Biden të kapërcejë rezultatet e hershme të dobëta në Ajoa dhe Nju Hempshër në zgjedhjet paraprake brenda demokratëve e më pas në garën për Shtëpinë e Bardhë. Që atëherë ai ka vazhduar të vlerësojë rolin e sindikatave, megjithatë shumë votues që nuk kanë një diplomë kolegji, apo që i takojnë klasës punëtore, vazhdojnë të jenë blloku më i fortë i mbështetësve të zotit Trump.

Mary Kay Henry, presidente e Unionit Ndërkombëtar të Punonjësve të Shërbimit, një organizatë me 2 milionë anëtarë, i quajti sindikatat mbrojtëse të zoti Bidenit dhe tha se lëvizja punëtore duhet "të mobilizohet në shtetet fushëbeteje në të gjithë vendin për të siguruar që njerëzit që punojnë të dalin për të votuar".

"Ne jemi vërtet të ngazëllyer që presidenti u flet drejtpërdrejt punëtorëve, nëse do të kishte mundësi, ai do t'i bashkohej një sindikate", tha zonja Henry. Ajo shtoi: "Ky president e ka treguar se në cilën anë është. Ai është në anën e njerëzve që punojnë. Dhe kjo ka shumë rëndësi".

Zoti Biden ka histori personale me paradën e Ditës së Punës në Pitsburg, e cila është ndër më të mëdhatë në vend. Ai mori pjesë atje në vitin 2015 si nënpresident dhe u kthye sërish në 2018. Të dyja herët, zoti Biden, tashmë 79 vjeç, u përball me pyetjen nëse do të kandidonte për president në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa zgjodhi të mos kandidojë në 2016; në 2020 ai fitoi Shtëpinë e Bardhë.

Këtë vit, presidenti më i vjetër në moshë në historinë e vendit po përballet me spekulime rreth kandidimit për një mandat të dytë në 2024. Ai ka këmbëngulur se ky është qëllimi i tij dhe duket se trysnia është zhdukur në javët e fundit, mes një vargu suksesesh legjislative e politike për zotin Biden dhe partinë e tij.

Megjithatë, të dyja shtetet fushëbeteja të përhershme gjatë garave presidenciale që zoti Biden po viziton të hënën mund të jenë tregues kyç të forcës së demokratëve përpara zgjedhjeve të këtij nëntori dhe atyre që do të mbahen në 2024. Me inflacionin ende të lartë dhe në kushtet kur mbështetja ndaj presidentit sipas sondazheve mbetet e ulët, mbetet ende për t’u parë se sa mund ta ndihmojë zoti Biden partinë e tij në garat kryesore.

Në Uiskonsin, zëvendës guvernatori demokrat Mandela Barnes po përpiqet të largojë senatorin republikan në detyrë, Ron Johnson. Në një tjetër garë në këtë shtet, Tim Michels, drejtues ekzekutiv i një kompanie ndërtimi që mbështetet nga zoti Trump, po përpiqet t'i marrë postin guvernatorit aktual, demokratit Tony Evers, që kandidon për një mandat të dytë. Zoti Evers tha se ka në plan t’i bashkohet zotit Biden të hënën.

Votuesit e Pensilvanisë po zgjedhin një guvernator të ri. Prokurori i Përgjithshëm i shtetit John Shapiro po përballet me një tjetër republikan të mbështetur nga zoti Trump, Doug Mastriano. Po kështu po mbahen zgjedhje për një senator të ri, një garë mes zëvendës guvernatorit demokrat John Fetterman dhe mjekut të famshëm të zemrës Mehmet Oz, të mbështetur nga zoti Trump. Si zoti Shapiro ashtu edhe zoti Fetterman kanë në plan të marrin pjesë në paradën e Pitsburgut të hënën.

Garat në Pensilvani dhe Uiskonsin mund të vendosin se cila parti do të kontrollojë Senatin vitin e ardhshëm, ndërsa fituesi i postit të guvernatorit mund të ndikojë në rezultatet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

XS
SM
MD
LG