Lidhje

Mijëra vetë i japin lamtumirën e fundit Gorbaçovit; mungon Putini


Ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov u varros të shtunën në Moskë, pas një ceremonie që bëri bashkë me mijëra vetë që i dhanë atij lamtumirën e fundit. Presidenti rus Putin i shpërfilli homazhet e zhvilluara sot për nder të zotit Gorbaçov. Kremlini gjithashtu refuzoi të zhvillojë një funeral shtetëror për të, çka pasqyron shqetësimin mbi trashëgiminë e njeriut që njihet për reformat drastike të ndërmara në vend, të cilat ndihmuan në përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Zoti Gorbaçov është nderuar në mbarë botën për rrëzimin e Perdes së Hekurt, por ai është ndeshur me mjaft kritika në Rusi, lidhur me rënien e ish-Bashkimit Sovjetik dhe problemet e mëdha ekonomike që zhytën me miliona rusë në varfëri.

Të enjten, zoti Putin vendosi privatisht lule në arkivolin e Mikhail Gorbaçovit në një spital të Moskës. Mikhail Gorbaçov vdiq të martën në moshën 91-vjeçare. Trupi i tij u vendos në varrezat Novodevichy të Moskës pranë varrit të bashkëshortes së tij, Raisa Gorbaçov.

XS
SM
MD
LG