Lidhje

Hetimet mbi 6 janarin, ish-këshilltarët ligjorë të Presidentit Trump dëshmi para një jurie të madhe


Dy prej përfaqësuesve ligjorë kryesorë të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Trump pritet të dëshmojnë sot para një jurie të madhe e cila po heton rreth sulmit të dhunshëm në Kapitol më 6 janar të 2021. Lajmi u bë i ditur nga burime në dijeni të çështjes.

Pat Cipollone, ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë dhe zëvendësi i tij Pat Philbin, konsiderohen si dëshmitarët më të rëndësishëm të thirrur për të dëshmuar para jurisë së madhe.

Më parë është thirrur për të dëshmuar Marc Short, shef i kabinetit të ish-nënpresidentit Mike Pence si dhe Greg Jacob, një nga këshilltarët kryesorë ligjorë të zyrës së zotit Pence.

Juria e madhe që mblidhet çdo të premte në gjykatën federale në Uashington, po heton në mënyrë specifike një komplot të dështuar të aleatëve të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, nëpërmjet një përpjekjeje për të caktuar elektorë të rremë, që do të votonin potencialisht në favor të zotit Trump.

Hetimi mbi elektorët e rremë po mbikëqyret nga Thomas Windom, një prokuror federal i cili ka mbajtur kryesisht një profil relativisht të ulët. Kjo çështje është trajtuar edhe në seancat e shumta të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po zhvillon hetime mbi sulmin e 6 janarit në Kapitol.

Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të organit legjislativ të Arizonës, republikani Rusty Bowers, dëshmoi në muajin qershor se zoti Trump dhe ndihmësit e tij të ngushtë, mes tyre edhe avokati personal i tij, Rudy Giuliani si dhe këshilltari John Eastman, i kishin kërkuar të refuzonte rezultatin e zgjedhjeve.

Si pjesë e hetimit Departamenti i Drejtësisë ka sekuestruar telefonin e zotit Eastman dhe ka shqyrtuar përmbatjen e tij.

Po kështu janë sekuestruar telefonat e ligjvënësit republikan Scott Perry, një aleat i zotit Trump dhe Jeffrey Clark, një ish-këshilltar i lartë i Departamentit të Drejtësisë, i cili gjithashtu u përpoq të mbështeste planin që synonte përzgjedhjen elektorëve të rinj në shtetin e Xhorxhias, bazuar mbi pretendimet e rreme për manipulim të zgjedhjeve.

Në muajt e fundit, Departamenti i Drejtësisë ka dorëzuar pranë jurisë së madhe fletëthirrje për persona të shumtë që mund të kenë informacione lidhur mbi planet për përzgjedhjen e elektorëve të rremë. Prokurorët kanë kërkuar kopje të dokumenteve që datojnë prej tetorit 2020, të lidhuara me "çdo përpjekje apo plan për të shërbyer si elektor në favor të Donald Trump-it apo Mike Pence-t”.

Ata po kërkojnë gjithashtu kopje të komunikimeve ndërmjet atyre që mund të shërbenin si elektorë të mundshëm, me punonjës të qeverisë federale apo me persona që punonin për llogari të zotit Trump.

XS
SM
MD
LG