Lidhje

Shefi i NATO-s paralajmëron për interesat ruse dhe kineze në Arktik


Jens Stoltenberg
Jens Stoltenberg

TORONTO – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi të premten për rritje të pranisë ushtarake të Rusisë në Arktik dhe interesin në rritje të Kinës në këtë pjesë të globit.

Gjatë një vizite në veriun e Kanadasë, zoti Stoltenberg tha se trajektorja më e shkurtër drejt Amerikës së Veriut për raketat dhe bombarduesit rusë kalon mbi Polin e Veriut. Ai tha se Rusia ka krijuar një Komandë të re për Arktikun dhe ka çelur qindra objekte ushtarake në Arktik, si objekte të reja, ashtu edhe ato të vjetra të epokës sovjetike, si p.sh. pista avionësh dhe porte detare.

“Vërejmë një rritje domethënëse të kapaciteteve ushtarake ruse, me baza të reja, sisteme të reja armësh, si dhe përdorimin e veriut të largët si terren për të testuar armët e tyre më të përparuara, përfshirë raketat hipersonike”, tha zoti Stoltenberg në një bazë ushtarake kanadeze në Cold Lake, Alberta.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke biseduar me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau përpara një avioni CF-18 Hornet të Forcave Ajrore Kanadeze (26 gusht 2022)
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke biseduar me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau përpara një avioni CF-18 Hornet të Forcave Ajrore Kanadeze (26 gusht 2022)

Zoti Stoltenberg vuri gjithashtu në dukje se Kina e ka shpallur veten një shtet “pranë Arktikut”. Ai tha se Pekini kërkon të prodhojë anijen akullthyese më të madhe në botë dhe po shpenzon dhjetëra miliarda dollarë për projekte energjitike, infrastrukturore dhe studimore në veri.

“Pekini dhe Moska janë zotuar gjithashtu të shtojnë bashkëpunimin praktik në Arktik. Kjo është pjesë e një partneriteti strategjik në rritje, i cili sfidon vlerat dhe interesat tona”, tha zoti Stoltenberg.

Ai gjithashtu vuri në dukje se ndryshimi klimatik po e bën Arktikun më të arritshëm për njësitë ushtarake dhe mirëpriti njoftimin rishtazi të Kanadasë se do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen.

Sistemet e radarëve NORAD në komunitetin arktik Nunavut, Kanada
Sistemet e radarëve NORAD në komunitetin arktik Nunavut, Kanada

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, i cili shoqëronte zotin Stoltenberg, paraqiti disa nga shpenzimet dhe aktivitetet që Kanadaja po bën në veri. Ndër të tjera janë premtimet për të angazhuar fonde prej miliarda dollarësh për paisje dhe kapacitete të reja ushtarake, përfshirë planet për të blerë avionë të rinj luftarakë dhe për të modernizuar sistemin e vjetër NORAD të Amerikës së Veriut, që funksionon në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG