Një inxhinier që punon nën pushtimin rus që nga 4 marsi në termocentralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhia (ZNPP) i tha Zërit të Amerikës se forcat ruse kanë vendosur artileri dhe raketa brenda dhe rreth sipërfaqes së uzinës dhe kanë kryer vetë shpërthime pranë uzinës në një përpjekje të dukshme për të diskredituar ushtrinë ukrainase.
Dëshmia e inxhinierit, identiteti i të cilit nuk po publikohet, pasi forcat ruse mund të hakmarren ndaj tij, mbështet pretendimet e qeverisë ukrainase se është vetë Rusia përgjegjëse për shpërthimet në zonën e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë. Zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se shpërthimet janë rezultat i zjarrit të artilerisë ukrainase.
Ndërkohë po zhvillohen negociata, që inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të kenë qasje në uzinë për të përcaktuar rrezikun e një aksidenti katastrofik. Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi tha këtë javë se ai shpreson të përfundojë së shpejti negociatat me të dy vendet mbi hollësitë e një vizite inspektimi.
Intervista me inxhinierin, banor prej shumë kohësh në qytetin Enerhodar, ku ndodhet uzina, u zhvillua përpara se kompania shtetërore e Ukrainës, Energoatom, të njoftonte të enjten se zjarret në një fabrikë aty pranë me qymyr kishin ndërprerë linjën e fundit të lidhjes midis termocentralit dhe rrjetit energjetik ukrainas. IAEA më vonë tha se Ukraina e njoftoi se rryma elektrike ishte rivendosur.
Më poshtë është një përmbledhje e intervistës, e kryer në rusisht nga Shërbimi Gjeorgjian i Zërit të Amerikës.
Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është situata aktuale në termocentralin bërthamor në Zaporizhia?
Inxhinieri: Deri më sot, situata në Zaporizhia mund të cilësohet si vazhdimisht e më e vështirë. Në këtë fazë, siguria e termocentralit bërthamor është nën kontroll. Por i gjithë stafi i ZNPP-së duhet të punojë nën një trysni të madhe nga rusët.
Për shkak të kësaj, gjendja psikologjike e punonjësve është kritike. Përveç të shtënave dhe bombardimeve pothuajse të përditshme, termocentrali bërthamor i Zaporizhias është më i madhi në Evropë dhe një rrjedhje rrezatimi do të ishte një fatkeqësi globale.
Zëri i Amerikës: Pala ukrainase pretendon se rusët shpesh përdorin territorin e termocentralit për sulme me artileri dhe raketa, si dhe kanë minuar sallat e makinerive të reaktorëve bërthamorë.
Inxhinieri: Mund të konfirmoj që është pikërisht ashtu. Lloje të ndryshme artilerie dhe raketash ruse janë të vendosura si brenda territorit të termocentralit bërthamor, ashtu edhe rreth tij, në perimetër, pranë rezervuarit të Kakhovkas. Territori i termocentralit është gjithashtu i mbushur me pajisje të tjera ushtarake ruse. Sa i përket vendosjes së minave në objekt, e kam dëgjuar, por nuk e kam parë personalisht.
Zëri i Amerikës: Pala ukrainase pretendon gjithashtu se vetë rusët po bombardojnë territorin e ZNPP-së.
Inxhinieri: Disa herë, nga e ashtuquajtura zona industriale rusët bombarduan vende që nuk mund të ndikojnë në funksionimin e sigurt të termocentralit. Mendoj se rusët po përpiqen të diskreditojnë forcat e armatosura të Ukrainës, duke thënë se ushtria ukrainase po godet termocentralin bërthamor nga ana tjetër e lumit Dnieper. Në të njëjtën kohë, rusët dëmtuan qëllimisht linjat e tensionit të lartë që lidhin termocentralin bërthamor Zaporizhia me sistemin energjetik të Ukrainës.
Zëri i Amerikës: Çfarë rreziku paraqet kjo për një central bërthamor?
Inxhinieri: Për të funksionuar siç duhet, një termocentral bërthamor duhet të dërgojë energjinë e prodhuar në sistemin energjetik dhe nevojitet furnizim me energji elektrike që pompat të funksionojnë siç duhet si dhe për të ftohur në kohë karburantin bërthamor në reaktorët bërthamorë.
Duke dëmtuar linjat e tensionit të lartë, rusët duan të bëjnë një aksident të vogël dhe të ndalojnë uzinën për një kohë të shkurtër, pastaj të na furnizojnë me energji elektrike nga Krimea dhe të kalojnë automatikisht termocentralin bërthamor në sistemin energjetik rus. Ky është një plan shumë i rrezikshëm.
Zëri i Amerikës: Si menaxhohet tani Zaporizhia?
Inxhinieri: Termocentrali bërthamor është nën kontrollin e Kompanisë Kombëtare të Prodhimit të Energjisë Bërthamore të Ukrainës [NNEGU] dhe ne i marrim rrogat tona në monedhën ukrainase, të cilat kreditohen në kartat tona bankare.
Deri më tani, rusët nuk e kanë prekur menaxhimin e termocentralit bërthamor, megjithëse mendoj se kjo do të ndodhë së shpejti. Trysnia po bëhet më e fortë. Përfaqësuesit e Rosatom-it [Korporata Shtetërore Ruse e Energjisë Atomike] kanë ardhur këtu disa herë.
Ata thonë se së shpejti, ne do të jemi plotësisht në varësi të Rosatomit. Ne do të punojmë për sistemin energjetik rus dhe do të paguhemi në rubla ruse.
Na është thënë se ata që e kundërshtojnë do të duhet të largohen nga puna. Që nga fillimi i pushtimit, mjaft punonjës janë larguar. Megjithatë, për funksionimin e sigurt të stacionit, personeli operacional është në vend dhe vazhdon të punojë me kohë të plotë. Është shumë e vështirë të thuhet çfarë do të ndodhë nëse shkëputemi nga sistemi energjetik i Ukrainës,. Shpresoj se nuk do të ndodhë.
Zëri i Amerikës: Cila është situata në qytetin Enerhodar?
Inxhinieri: Në Enerhodar, situata është relativisht e qetë, nëse pushtimi mund të quhet i tillë. Bombardime artilerie ndodhin periodikisht. Ka ende të shtëna. Rusët po bombardojnë qytetet Nikopol dhe Manganets në anën tjetër të lumit Dnieper, domethënë nga rezervuari Kakhovka.
Enerhodari drejtohet nga administrata ushtarake ruse. Liria e fjalës dhe e shprehjes është shkatërruar. Kanalet televizive ukrainase dhe interneti janë mbyllur. Që nga 13 korriku, është aktivizuar nga Krimea interneti rus Miranda. Nga 1 gushti doli nga funksionimi edhe posta ukrainase. Edhe bankat ukrainase janë larguar. Paga dhe pensioni i të gjithëve paguhen në monedhën ukrainase “hryvnia” në kartat e tyre. Hryvnia ukrainase dhe rubla ruse janë të dyja në qarkullim në dyqane dhe tregje.
Nga shtatori rusët do të fillojnë në shkolla mësimin në gjuhën ruse, edhe pse një pjesë e madhe e mësuesve janë larguar dhe nuk e di si do ta bëjnë. Ata e kanë shkatërruar plotësisht sistemin arsimor. Shpërndajnë pasaporta ruse. Edhe ky proces nuk po shkon mirë. Vetëm disa dhjetëra të moshuar morën pasaporta ruse. Nuk ishin në gjendje të ngrinin ende çështjen e të ashtuquajturës " Referendumi i Republikës së Zaporizhzhas". Nuk kanë mbështetje reale.
Zëri i Amerikës: U njoftua se rusët kanë rënë dakord të lejojnë ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të vizitojnë centralin bërthamor të Zaporizhia. Çfarë mund të ndryshojë kjo?
Inxhinieri: Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka kryer inspektime periodike këtu dhe tani pas inspektimit do të konkludojë nëse respektohen standardet e sigurisë në termocentralin bërthamor të Zaporizhias apo ekziston rreziku i një aksidenti apo rrjedhje rrezatimi.
Pritshmëria është që pas përfundimit të agjencisë, trysnia ndërkombëtare ndaj Moskës do të shtohet dhe Rusisë do t'i kërkohet të tërheqë armët e rënda dhe trupat nga termocentrali bërthamor. Unë mendoj se kjo nuk është realiste. Rusët nuk do të largohen nga këtu me vullnetin e tyre. Pa luftë është e pamundur.
Njerëzit këtu janë gjithashtu shumë të pakënaqur me qeverinë ukrainase dhe kërkojnë një përgjigje nga Zelenskyy. Ne e dorëzuam të gjithë jugun praktikisht pa luftë. Ne e dimë prej vitesh që Krimea u aneksua dhe të gjithë e prisnin një sulm prej andej.
Në të njëjtën kohë, rusët hynë në Kherson, Melitopol - dhe këtu, praktikisht - pa rezistencë serioze ushtarake. Nuk arrij ta besoj atë që ka ndodhur. Si mund t'i jepej Rusisë centrali bërthamor i Zaporizhias? Jeta nën pushtim është e tmerrshme.