Lidhje

Zonjës së Parë Jill Biden i rikthehet COVID-i


Jill Biden
Jill Biden

Zonja e Parë Jill Biden ka rezultuar sërish pozitive nga testimi për COVID-19. Me sa duket asaj i është rikthyer virusi, pasi kishte rezultuar fillimisht negative gjatë fundjavës.

Presidenti Joe Biden, që po qëndron prej tre ditësh me bashkëshorten në shtëpinë e tyre të pushimit në Rehoboth, Dellauer, vazhdon të rezultojë negativ, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Edhe presidenti pati në fillim të këtij muaji një rikthim të virusit pasi ishte shëruar.

Jill Biden rezultoi fillimisht pozitive me virusin më 15 gusht, kur së bashku me bashkëshortin po pushonin në Ishullin Kiawah, në Karolinën e Jugut. Ajo qëndroi e izoluar në qytetin bregdetar derisa mori dy rezultate negative nga testimi dhe iu lejua të takonte presidentin në Dellauer të dielën.

Presidenti Joe Biden shikon nga nipi i tij Beau Biden, ndërsa Zonja e Parë Jill Biden përshëndet duke ecur drejt avionit Air Force One, në Bazën Ajrore Andrews (10 gusht 2022)
Presidenti Joe Biden shikon nga nipi i tij Beau Biden, ndërsa Zonja e Parë Jill Biden përshëndet duke ecur drejt avionit Air Force One, në Bazën Ajrore Andrews (10 gusht 2022)

Zv.drejtorja e komunikimeve Kelsey Donohue tha se zonja Biden “nuk ka përjetuar rishfaqje të simptomave, dhe do të qëndrojë në Dellauer, ku ka filluar sërish procedurat e izolimit”. Ajo shtoi se “njësia mjekësore e Shtëpisë së Bardhë ka bërë procesin e gjurmimit të kontakteve të mundshme dhe ka njoftuar personat që kanë patur kontakt të afërt”.

Jill Biden, 71-vjeçare, ashtu si bashkëshorti i saj, ka bërë të dyja vaksinat, si dhe të dyja dozat përforcuese të kompanisë Pfizer kundër COVID-19. Asaj i ishte dhënë ilaçi antiviral Paxlovid, që ka rezultuar shumë i efektshëm për të parandaluar sëmundjen e rëndë dhe vdekjen e personave më të rrezikuar nga COVID-19. Megjithatë, një pjesë e vogël e personave që iu është dhënë ky ilaç kanë patur një rikthim të virusit vetëm pak ditë pasi janë shëruar.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti konsiderohet kontakt i afërt dhe do të mbajë maskë “për 10 ditë në mjedise të brendshme dhe në afërsi të të tjerëve”, sipas udhëzimeve të Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Shtëpia e Bardhë do të shtojë gjithashtu edhe frekuencën e testimit të presidentit.

XS
SM
MD
LG