Lidhje

Mbi 100 dokumenta të klasifikuara ndër materialet e marra nga Mar-a-Lago që në muajin janar


Pamje nga ajri e rezidencës Mar-a-Lago të ish-Presidentit Trump, në Palm Beach, Florida (10 gusht 2022)
Pamje nga ajri e rezidencës Mar-a-Lago të ish-Presidentit Trump, në Palm Beach, Florida (10 gusht 2022)

Administrata e Arkivave dhe Dokumentacionit Kombëtar konstatoi mbi 100 dokumenta të klasifikuara, me mbi 700 faqe, në 15 kutitë e marra më herët këtë vit nga Mar-a-Lago, thuhet në korrespondencën e publikuar rishtazi mes qeverisë dhe ekipit ligjor të ish-Presidentit Trump.

Numrat e bëjnë të qartë volumin e madh të dokumentave sekrete qeveritare të marra muaj më parë nga rezidenca e ish-Presidentit Donald Trump, kohë më parë se zyrtarët e FBI-së të riktheheshin aty për të bërë një kontroll të autorizuar me urdhër gjykate më datën 8 gusht, kur morën edhe 11 njësi të tjera dokumentacioni të klasifikuar. Urdhëri i gjykatës zbuloi ekzistencën e një hetimi nga FBI-ja për mundësinë e marrjes së paligjshme të dokumentave dhe për pengimin e drejtësisë.

Shifrat e dokumentave përmenden në një letër të datës 10 maj, ku arkivistja Debra Steidel Wall i thotë avokatit të ish-Presidentit Trump, Evan Corcoran, se administrata e Presidentit Biden nuk do të mbështesë pretendimet e ish-presidentit se gëzon imunitetin e ekzekutivit për këto dokumenta.

Javë më përpara, zoti Corcoran kishte kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar materialet e gjendura në kutitë, përpara se Arkivat Kombëtare t’ia kalonin ato FBI-së, në mënyrë që ai të mund të përcaktonte nëse ndonjë dokument ishte subjekt i imunitetit të ekzekutivit dhe për këtë arsye të përjashtohej nga dorëzimi, thuhet në letër.

Letra u bë publike të martën në faqen në internet të Arkivave Kombëtare. Ajo ishte publikuar mbrëmjen e së hënës në një faqe interneti të krijuar nga John Solomon, i cili u caktua në qershor nga ish-Presidenti Trump si një ndër përfaqësuesit e tij në komunikimin me Arkivat Kombëtare. Ai është gjithashtu aleat i ish-presidentit dhe gazetar konservator.

Letra e arkivistes thotë se Departamenti i Drejtësisë nuk kishte gjetur “ndonjë precedent për ushtrimin e imunitetit ekzekutiv nga një ish-president përballë presidentit aktual për t’ia ndaluar këtij të fundit” marrjen e dokumentacionit presidencial në Arkivat Kombëtare, dokumentacion i cili i përket qeverisë federale dhe është i nevojshëm për punën e tanishme të qeverisë.

Letra e arkivistes Debra Steidel
Letra e arkivistes Debra Steidel

Për rrjedhojë, thotë letra, pretendimi për imunitet ekzekutiv nuk do të përmbushet dhe FBI-së do t’i jepej qasja tek dokumentat brenda disa ditësh.

Arkivat Kombëtare i kishin kërkuar Departamentit të Drejtësisë të fillonte hetime pasi tha se konstatuan materiale të klasifikuara ndër dokumentat e 15 kutive të marra nga Mar-a-Lago, të cilat duhet të ishin dorëzuar nga ish-Presidenti Trump në përfundim të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Në letër, arkivistja Wall shkruan se në ato kuti, Arkivat Kombëtare kishin identifikuar materiale të klasifikuara në nivelin tepër sekret, si dhe informacion për programe për të cilat mund të informohesh vetëm nëse disponon një çertifikatë të posaçme.

Letra thotë se ndër materialet ishin mbi 100 dokumenta të shënuara si të klasifikuara “me mbi 700 faqe” dhe citon një pasazh nga një tjetër korrespondencë me Divizionin e Sigurisë Kombëtare të Departamentit të Drejtësisë ku thuhet se “qasja tek materialet nuk është vetëm e nevojshme për qëllimet e një hetimi penal në vazhdim”, por edhe për “vlerësimin e dëmit të mundshëm” për shkak të mënyrës se si dokumentat ishin transportuar dhe depozituar.

Zoti Corcoran nuk iu përgjigj menjëherë mesazheve ku kërkoheshin komente rreth kësaj letre.

XS
SM
MD
LG