Lidhje

Australi, prodhimi i verës pa alkool


Australi, prodhimi i verës pa alkool
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Për shumë njerëz që konsumojnë pije alkoolike, pijet pa alkool, mund të mos jetë edhe aq tërheqëse. Por një numër në rritje australianësh po zgjedhin pikërisht pije të tilla. Hulumtuesit në qytetin bregdetar Adelaide po përpiqen të prodhojnë verë pa përmbajtje alkooli që të ketë shijen pothuajse njëlloj si verërat e zakonshme.

Një gotë verë e kuqe, por pa efektin e dehjes, po fiton popullaritet. Një restorant në qytetin australian Adelaide ofron pesë verëra të tilla.

“Klientët na pyesin nëse ofrojmë pije të tilla, para se të bëjnë rezervimin”, thotë Charlotte Martin, menaxhere e restorantit Shobosho.

Kërkesat e klientëve për verë që nuk rezulton në dehje, është arsyeja e një projekti kërkimor dyvjeçar në Adelaide. Ekspertët e verës po i ndihmojnë hulumtuesit që të prodhojnë verë pa alkool, që ka pothuajse të njëjtën shije.

“Këto lloj pijesh tani janë më të mira se më parë, por kemi një rrugë të gjatë”, thotë shkencëtari që po bën hulumtime për verën, Wes Pearson.

Heqja e alkoolit nga vera është më e vështirë sesa me birrën pasi prodhuesit e verës kanë më pak hapësirë manovrimi, meqënëse vera ka përbërës më të paktë dhe përqindja e alkoolit është më e lartë.

Disa lloje verërash të kuqe australiane kanë përbërje alkooli deri në 15%. Por vëmendje i duhet kushtuar edhe kultivimit të vreshtave. Ekspertët thonë se shijet e verërave të bardha dhe të gazuara pa alkool po i afrohen shijes së verërave normale, por vështirësia qendron tek vera e kuqe. Wolf Blass është një punishte e njohur vere në Luginën Barossa të Australisë së Jugut, që prej një viti nuk ka verëra në rezervë.

"Një e treta e klientëve tanë zgjedhin verën me më pak alkool nëse e gjejnë dhe shija është në nivelin e cilësisë që ata presin. Po shkojmë drejt kësaj prirje që kërkojnë konsumatorët, që shija të plotësojë pritshmëritë e tyre”, thotë shefi i furnizimit të punishtes Kerrin Petty.

Nevoja për të gjetur tregje të reja vere është edhe më urgjente pas tarifave të vendosura nga Kina. Gjatë viteve të fundit, Pekini ka krijuar pengesa të ndryshme tregtare për eksportet australiane që kapin vlerën e disa miliarda dollarëve, duke përfshirë qymyrin, verën, elbin, mishin e viçit dhe ushqimet e detit.

“Ndryshimet e tarifave na kanë detyruar të përshpejtojmë mënyrën e të menduarit
”, thotë zoti Petty.

Kështu po ndryshon edhe shija e një brezi të ri, që dëshiron të shijojë verën, por pa dhimbjen e kokës, që shkakton pirja e një gote më shumë.

XS
SM
MD
LG