Bisedimet e së enjtes ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk shënuan ndonjë përparim, por të gjitha palët u pajtuan vetëm për një gjë – vazhdimin e bisedimeve për të shmangur tensionet në terren.
Më 31 korrik rrugët në veriun e Kosovës u bllokuan nga grupe serbësh për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së kryeministrit Kurti që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës.
Beogradi zbaton masa te njëjta për qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi gjatë 10 viteve të fundit.
Qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për një shtator zbatimin e vendimit të saj me kërkesë të diplomacisë amerikane. Të enjten palët dështuan të merren vesh, por shefi I Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, u pajtuan të vazhdojnë diskutime.
"Ka ende kohë deri më 1 shtator. Sot nuk ka një marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi. Duhet të vazhdojmë të diskutojmë. Ne duhet të kërkojmë zgjidhjen që procesi të vazhdojë”, tha zoti Borrell.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten vonë në një paraqitje në rrjetet sociale tha se ishte një ditë e vështirë për Serbinë.
"Nuk mund të them se bisedimet shënuan sukses, por përmbahem nga të gjitha komentet, sepse shpresoj dhe besoj se është e mundur të arrihet një kompromis në ditët në vazhdim, me ndonjë mrekulli. Unë do të vazhdoj të luftoj për paqen dhe qëndrueshmërinë dhe do t'ju drejtohem për 48 orët e ardhshme me të gjitha faktet”, tha presidenti serb.
Të premten shefi i zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se fjalimi i presidentit të Serbisë, është shtyrë për pasditen e së dielës, kur ai do të pres në Beograd përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Ai tha se presidenti serb po vazhdon të punojë edhe sot për të gjetur zgjidhje, ndërsa akuzoi kryeministrin Kurti se nuk ka pranuar asnjë propozim kompromisi.
Edhe gjatë natës së mbrëmshme kanë vazhduar diskutimet e diplomatëve perëndimorë me të dyja palët përfshirë edhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Për analistët përfshirja e diplomatëve perëndimorë u bë më e theksuar pas krizës së fundit ne veri dhe kjo mund të shënojë një periudhë të re në bisedimet Kosovë – Serbi. Drejtori i Institutit të Kosovës për Hartimin e Politikave, Lulzim Peci tha se angazhimi diplomatik nuk ndodhë vetëm për targa dhe dokumente personale, por bëhet që procesi të lëvizë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
"Mendoj që ne tani po hyjmë në atë fazë, por a do të arrijmë te marrëveshja, këtë nuk e di sepse të dy palët duhet të pajtohen, mirëpo një gjë është e qartë se jemi duke lëvizur në atë drejtim. Edhe bashkësia ndërkombëtare, flasim këtu për perëndimin siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kyçe të Evropës edhe shumë më herët e kanë thënë se vazhdimi i tensioneve në Ballkan dhe i çështjeve të pazgjidhura i ndihmon vetëm Rusisë dhe askujt tjetër, sepse Rusia këtë me vite të tëra e ka shfrytëzuar në mënyrë shumë të mirë për të destabilizuar Ballkanin për qëllimet e veta të cilat i ka në atë që quhet fqinjësi e afërt dhe kjo u dëshmua edhe me luftën në Ukrainë", tha ai.
Në Kosovë përfshirja amerikane shihet si e domosdoshme.
“Përparim çdo herë ka pasur nëse përfshihet edhe Amerika në këtë punë, se sa i përket Vuçiçit ai na ka mbytur se lëre më të na ndihmojë diçka. Vetëm Amerika është ajo e cila ka mundësi të bëjë diçka”, tha Hashim Maloku, një qytetar në Prishtinë.
“Pritshmëria më e madhe dhe më e rehatshme për Kosovën është Amerika me aleatët tonë që janë gjithmonë për ta zgjidhur çështjen e bisedimeve. Pa Amerikën ne nuk mund të zgjidhim asgjë, Evropa qe 20 vjet, 30 vjet, qe 100 vjet na kanë lënë kështu, nuk pres prej Evropës asgjë të Zotit. E vetmja shansë, e vetmja zgjidhje është Amerika”, tha ndërkaq Fadil Sahiti.
Ende nuk dihet se kur mund të vazhdojnë bisedimet të cilat filluan 11 vjet më parë me synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë që llogaritë në përkrahjen ruse në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës të cilën e njohin Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e vendeve perëndimore.