Lidhje

Shtëpia e Bardhë ofron një fillim të ri në qasjen ndaj Afrikës


Administrata e Presidentit Biden thotë se politika e saj e re për Afrikën bazohet në vendosjen e barazisë, promovimin e shoqërive të hapura, demokracinë, rimëkëmbjen nga pandemia dhe ndryshimet klimatike. Gjatë turneut të tij të fundit, Sekretari amerikan i Shtetit mbrojti këto objektiva dhe marrëdhëniet e reja midis Shteteve të Bashkuara dhe më shumë se 50 partnerëve të saj në kontinent.

Strategjia e riformuluar e presidentit amerikan Joe Biden për Afrikën premton barazi për kontinentin me rritjen më të shpejtë ekonomike.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken e përmblodhi në këtë mënyrë strategjinë, gjatë turneut të tij në disa vende të Afrikës javën e kaluar.

"Ajo që ne kërkojmë mbi të gjitha është një partneritet të vërtetë midis Shteteve të Bashkuara dhe Afrikës. Ne nuk duam një marrëdhënie të pa ekuilibruar ose transaksionale dhe angazhimi ynë për një partneritet më të fortë me Afrikën nuk ka të bëjë me përpjekjen për të mposhtur dikë tjetër", tha zoti Blinken.

Por, ekspertët e çështjeve të Afrikës theksojnë se dy vende të tjera të mëdha kanë rritur angazhimin e tyre në kontinent. Kina, përmes nismës së saj "Një Brez, Një Rrugë" po bënë investime në fushën e infrastrukturës në të gjithë kontinentin. Rusia, ministri i jashtëm i së cilës bëri gjithashtu një turne kohëve të fundit në kontinent për t'u kujtuar vendeve afrikane lidhjet e vjetra nga epoka e pasçlirimit, ka shtuar gjithashtu angazhimin e saj në Afrikë.

“Mendoj se ndryshimi në retorikë është i rëndësishëm dhe i kundërvihet përdorimit të termit “partneritet” të përdorur nga Kina, partnerë të zhvillimit ekonomik, që është pritur mirë në të gjithë kontinentin afrikan si një qasje me tone më respektuese”, thotë Kristin McKie nga Universiteti St. Lawrence.

Shtëpia e Bardhë thotë se kjo do të demonstrohet më vonë këtë vit në takimin SHBA-Afrikë, i cili do të ketë një mesazh më të ndryshëm se ai i vitit 2014.

Në takimin e vitit 2014, presidenti i atëhershëm Barack Obama theksoi se nuk e ftoi udhëheqësin e Zimbabvesë Robert Mugabe, i cili u bë gjithnjë e më autoritar përpara se të vdiste në vitin 2019. Ai nuk është i vetmi udhëheqës afrikan që ka mbajtur pushtetin për disa dekada, një sfidë për politikën amerikane të nxitjes së demokratizimit.

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara ndodhen në një pikë shumë interesante, ku duhet të përpiqen të paktën të duken se dëshirojnë të kenë të pranishëm të gjithë udhëheqësit rreth tryezës, madje edhe ata që nuk do të ishte mirë të ishin në takime të këtij niveli. Kështu që mendoj se do të ketë shumë udhëheqës afrikanë në këtë takim”, thotë Ebenezer Obadare nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ai thotë se ekziston një ndjenjë reale se kjo politikë, ndonëse nga pikëpamja financiare nuk është shumë e ndryshme nga politikat e mëparshme, përcjellë një mesazh të së vërtetës dhe pajtimit.

“Ajo që më pëlqen është se me këtë gjuhë të veçantë, në një farë mënyre duket se Shtetet e Bashkuara po thonë se “Ne mendojmë se mund të kemi vepruar në mënyrë të pandershme në të kaluarën”, pa e përdorur atë fjalë. Nuk kemi qenë gjithmonë besnikë ndaj fjalës sonë, por duam të kemi një fillim të ri”, thotë eksperti Ebenezer Obadare.

Në këto kohë të pasigurta, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që ky të jetë vërtetë një fillim i ri.

XS
SM
MD
LG