Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u bëri thirrje të mërkurën serbëve të Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave për çështjen e targave të automjeteve dhe dokumenteve të identifikimit, pasi që sipas tij, ato kanë për qëllim nxitjen e frikës dhe paqëndrueshmërisë.
Më 1 gusht qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe targat e lëshuara nga autoritetet serbe me kërkesë të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, i cili tha se shtyrja do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimet.
Shtyrja pasoi tensionet në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh bllokuan rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.
“Përballë fushatës tonë të informimit për vendimit e qeverisë të datës së 29 qershor dhe thirrjet për ligjshmëri u ngrit një fushatë e dezinformimit që e nxiste frikë dhe synonte destabilitet. Ajo ishte vetëm në shërbim të barrikadave me përbërje me individë të armatosur e me ta kaluar kriminale. Barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit”, tha kryeministri Kurti të mërkurën në mbledhjen e qeverisë.
Ai tha se barrikadat nuk u vendosën nga qytetarët.
“Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lartë. Ato as nuk iu përfaqësojnë juve qytetarët tanë dhe as nuk ju mbrojnë juve, kurse në anën tjetër policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë edhe përbëhen nga qytetarët tanë pa dallim edhe janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”, tha ai.
Shtyrja bëri që të zhbllokohen rrugët dhe te rivendoset qetësia në veri, ndërsa Bashkimi Evropian ftoi për javën e ardhshme një takim ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, në një përpjekje për të ripërtërirë bisedimet dhe për të shmangur përsëritjen e tensioneve.
Qeveria e Kosovës synon të zbatojë vendimet për reciprocitetin nga 1 shtatori dhe deri atëherë thotë se do të përpiqet të informojë saktë qytetarët serbë rreth tyre. Sipas vendimeve të qeverisë të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal, njëlloj sikundër veprohet me shtetasit e Kosovës kur hyjnë në Serbi. Po ashtu qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, duhet t’i regjistrojnë ato pa pagesë me targat e Kosovës RKS.
Kryeministri Kurti tha se ka dëgjuar lajme të rreme që dokumentet serbe do të konfiskohen në vendkalimet kufitare, duke nënvizuar se dokumenti për hyrje-dalje është vetëm një dokument shtesë që u jepet të gjithë shtetasve serbë me të hyrë në Kosovë. Ai tha se rreziku nga lajmet e rreme ësht i madh...
“Po jetojmë në një epokë sfiduese andaj na duhet kujdes i shtuar. Sot dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”, tha kryeministri Kurti.
Vëzhguesit thonë se takimi i radhës ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë do të mund të krijonte një situatë të re që do të shmangte tensionet ndërmjet palëve, të cilat tash e 11 vjet janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve por përparimet janë të pakta. Serbia e mbështetur nga Moska kundërshton pavarësinë e Kosovës të cilën e njohin vendet kryesore perëndimore.