Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se të shtunën në një vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndaluar Daria Aslamova, gazetare kontroverse ruse.
Në një postim në rrjetet sociale ministri Sveçla shkroi se “shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”.
Ministri tha se autoritetet e Kosovës “kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë për shkak të veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj”.
Ai tërhoqi vëmendjen se zonja Aslamova provoi të hyjë në Kosovë “një javë pas tensioneve të shkaktuara nga strukturat kriminale në veri të vendit dhe në të njëjtën ditë kur të njëjtat struktura që orkestrohen nga (Aleksandar) Vuçiqi kanë shtënë rreth 10 herë drejt zyrtarëve tanë policor. Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”, shkroi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në një postim në Facebook të shoqëruar më fotografi të zonjës Aslamova.