Lidhje

Kraja: SPAK i vendosur të vërë para përgjegjësisë të korruptuarit, përfshirë zyrtarë të lartë


Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK-ut Arben Kraja thotë se ky institucion është i vendosur për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që përfshihen në korrupsion, përfshirë zyrtarë të lartë. Zoti Kraja, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara, për takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, atij të Drejtësisë, Byrosë Federale të Hetimit, Agjencisë amerikane të Luftës Kundër Drogave, si dhe institucione të tjera amerikane të zbatimit të ligjit, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se SPAK-u do të vazhdojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni si dhe për të luftuar korrupsionin. Në intervistën me gazetaren e Zërit të Amerikës Menada Zaimi zoti Kraja, tha se pavarësisht nga deklaratat e politikanëve nga të gjitha palët, SPAK-u do të vazhdojë të veprojë, jo mbi bazën e një liste të caktuar apo një radhe të caktuar, por mbi bazën e provave.

Kraja: SPAK i vendosur të vërë para përgjegjësisë të korruptuarit, përfshirë zyrtarë të lartë
please wait

No media source currently available

0:00 0:11:02 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Kraja, çfarë të rejash do të sjellë ky forcim i bashkëpunimit, çfarë ka konkrete në këtë drejtim?

Arben Kraja: Ne jemi këtu që nga dita e hënë, siç e thatë edhe ju me të drejtë, një përfaqësi e përbërë nga unë si drejtues, Drejtorja e Byrosë Kombëtare të Hetimeve dhe një prokuror i Prokurorisë së Posaçme. Kemi zhvilluar takime me institucione të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Departamentin e Shtetit, në Departamentin e Drejtësisë, në FBI, në DEA (Agjencia amerikane e Luftës Kundër Drogave) apo struktura të tjera të zbatimit të ligjit. Qëllimi i vizitës ishte që, e para të prezantojmë punën e SPAK-ut, deri tani. Pra, çfarë kemi bërë e ku kemi arritur dhe e dyta të vendosim pikat e bashkëpunimit për të ardhmen, në kuptimin e strategjisë e si të zhvillohet ky institucion. Në të gjithë takimet dhe pothuajse me të gjithë bashkëbiseduesit arritëm në një përfundim të përbashkët, që ky projekt i filluar që është një projekt i guximshëm duhet vazhduar e duhet çuar deri në fund. Është një projekt i filluar nga shteti shqiptar në bashkëpunim të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për krijimin e SPAK-ut e kam fjalën, dhe në këto kushte duhet të vazhdojë mbështetja për ta konsoliduar edhe më shumë edhe për të vazhduar punën si strukturë për të dhënë rezultatet e pritshme, për të cilën edhe është ngritur.

Zëri i Amerikës: Zoti Kraja, gjatë periudhës që ju ndodheni në Shtetet e Bashkuara, një grup senatorësh amerikanë, nga të dyja krahët, paraqitën një projektligj që synon të luftojë korrupsionin në vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet hartimit të një legjislacioni të posaçëm mbi sanksionet që Uashingtoni ka vendosur ndaj atyre që kërcënojnë stabilitetin dhe paqen në këtë rajon. Në Shqipëri, ndaj një sërë figurash politike, ku më i larti është ish-Kryeministri Sali Berisha, janë vendosur sanksione për korrupsion domëthënës nga Shtetet e Bashkuara. Duket sikur në këtë aspekt perëndimi po bën më shumë se sa autoritetet shqiptare. Cila është përgjegjësia, në këtë rast, e SPAK-ut? Çfarë do të bëni ju pas këtij momenti, do të ketë një hetim mbi këtë çështje?

Arben Kraja: Problemi i korrupsionit në Shqipëri, por edhe në Ballkan është një problem shumë shqetësues. Është mungesa e ndëshkueshmërisë, mungesa e ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë që kanë qenë të përfshirë në elemente korrupsioni dhe si rezultat i këtij shqetësimi është bërë një reformë – është krijuar një strukturë e re, ka ndryshuar shumë ligje dhe kemi dy vite e gjysmë që punojmë, kryesisht për ngritjen e konsolidimin e strukturës dhe për arritjen e rezultateve konkrete. Pa diskutim që ne bashkëpunojmë me të gjitha strukturat të homologëve, qoftë edhe jashtë vendit për të luftuar këtë fenomen (korrupsionin). Ne kishim një takim me Kordinatorin Global kundër Korrupsionit i emëruar kohët e fundit nga Sekretari Blinken në Shtetet e Bashkuara. Shkëmbyem mendime në lidhje me nevojën për të rritur edhe më shumë luftën kundër korrupsionit. Pjesa e SPAK-ut pastaj pa diskutim është çështja e hetimeve të çështjeve penale. Çështje penale SPAK-u ka shumë nën hetim, prej atyre të bëra publike dhe që nuk janë bërë publike, sepse kështu është hetimi. Ne jemi të vendosur që për të gjitha rastet që kemi çështje penale nën hetim apo raste që përfshijnë zyrtarë të lartë, kushdo që të jenë ato, t’i shkojmë deri në fund për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe për t’i vënë para përgjegjësisë kur provohet vepra penale.

Zëri i Amerikës: Cila është sfida më e madhe që keni ju në këtë aspekt për të hetuar çështjet?

Arben Kraja: Sfida më e madhe deri tani ka qenë mungesa e plotë e strukturës. Vetëm muajin e kaluar u formua Byroja Kombëtare e Hetimit me numrin e nevojshëm të hetuesve dhe mbingarkesa e madhe me çështje penale të cilat i kishin prokurorët e SPAK-ut. Megjithatë gradualisht ne kemi tejkaluar këtë dhe hap pas hapi kemi filluar dhe kemi dhënë rezultate konkrete. Ato tashmë janë bërë publike, ushtrimi i qoftë dënimeve penale apo edhe ushtrimi i ndjekjes penale ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion, pastrim parash apo keqpërdorim me detyrën.

Zëri i Amerikës: Zoti Kraja, të ndalemi në disa prej çështjeve më të debatuara në Shqipëri të cilat ju po i hetoni. Çështjen e incineratorëve për shembull. Ju keni vënë nën sekuestrim dy impiantet, në Elbasan dhe në Fier, janë paraqitur prova të shumta dhe janë publikuar gjithaq për impiantin e Tiranës. Ku janë hetimet lidhur me këtë çështje, çfarë duhet të bëjë më shumë SPAK-u në këtë drejtim?

Arben Kraja: Çështja e incineratorëve është një çështje shumë komplekse sepse janë përfshirë shumë institucione shqiptare të cilat kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti. Po kështu është edhe një volum i madh pune për të sqaruar se çfarë ka ndodhur. Ne kemi 3 hetime, pra 3 çështje penale për secilin nga incineratorët, Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. Për dy të parat, pra Elbasanin dhe Fierin ne kemi arritur disa përfundime, pra i kemi bërë njoftimet që tanimë i dini sepse janë bërë publike. Kemi ngritur në përgjegjësi penale disa persona, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Por hetimet vazhdojnë dhe për incineratorin e Tiranës do ta vazhdojmë deri në fund për ta sqaruar se çfarë ka ndodhur. Në qoftë se ka përgjegjësi penale, kush ka dhe do të përgjigjet, kushdo që të ketë shkelur ligjin.

Zëri i Amerikës: Si e shpjegoni ju faktin që pronarët e kompanive që administronin impiantet e trajtimit të mbetjeve arritën që të largoheshin përpara se të dilnin urdhër- arrestet?

Arben Kraja: Kjo është çështje e hetimit, që duhet sqaruar, por problemi është se janë qytetarë të lirë deri sa del një masë sigurie nga gjykata. Deri atëherë njerëzit lëvizin lirshëm. Mund të jenë edhe jashtë vendit, mund të jenë edhe diku tjetër. Nganjëherë kur kërkohen, nuk arrihen të kapen, sepse fshihen. Është pjesë e hetimit kjo. Por e rëndësishme është që kjo nuk pengon që ne të vazhdojmë hetimet. Në Shqipëri ndjekja penale ushtrohet edhe në mungesë të personit, dhe ka edhe vendim gjyqësor përfundimtar në mungesë të tij, kushdo që të jetë ai.

Zëri i Amerikës: Prej një kohe të gjatë ju keni nisur hetimet për disa nga koncesionet në shëndetësi; sterilizim, Check-Up, apo laboratorët. Po me këto dosje çfarë po ndodh?

Arben Kraja: Po punohet intensivisht me të gjitha këto dosje për të mbledhur provat e nevojshme, sidomos tani që është plotësuar numri i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Po sqarohet se çfarë ka ndodhur dhe po hetohet nëse ka përgjegjësi njeri apo jo. Nëse po, përgjegjësi do të përgjigjet para ligjit, kushdo që të jetë,

Zëri i Amerikës: Nga opozita ka kritika ndaj SPAK-ut, se nuk po veprohet ndaj politikanëve të lartë. Nga ana tjetër, kryeministri ka deklaruar se ju po godisni vetëm majtas. A e vë kjo institucionin që ju drejtoni, në një lloj trysnie politike?

Arben Kraja: Ne veprojmë bazuar në ligj gjithmonë. Opinioni publik ka të drejtën e tij të shprehet. Partitë politike po ashtu. Secili shprehet sipas interesit të tij. Ne nuk veprojmë mbi bazën e një liste të caktuar apo një radhe të caktuar. Ne veprojmë mbi bazën e provave, që administrohen nga hetimi, për ato dosje penale që ne i kemi. Kur arrihet të provohet fajësia e dikujt, marrim masa për t’i dërguar për gjykim. Kjo është puna jonë. Ajo që ne kemi rënë dakord si grup prokurorësh, përfshirë edhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të hetimit, është që të rrimë sa më larg këtyre opinioneve, që shprehen qoftë nga partitë politike, apo nga media të ndryshme, në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjë apo çfarë nuk duhet të bëjë SPAK-u. Secili prej prokurorëve ka dosjet e përpara. Është i pavarur të vendosë për to. Është i detyruar të mbledhë prova, të japë zgjidhje ligjore, dhe është e rëndësishme, që të jetë i pavarur dhe objektiv në vendimmarrje.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi një çështje, që ka ngjallur disi kritika në opinion në Shqipëri: rasti i goditjes së disa grupeve kriminale të rëndësishme. Sërish krerët e këtyre grupeve nuk u kapën. A nuk ishte dalja në media e deponimeve të Nuredin Dumanit një paralajmërim për ta, që të largoheshin nga vendi? Ku e gjen veten SPAK-u në gjithë këtë gjë?

Arben Kraja: Natyrisht, nuk është e mirë për hetimin, që të dalin në media deklarimet e personave, të cilët janë pyetur, kushdo që të jenë ata. Por proceset në Shqipëri kanë disa detyrime ligjore, që kur merret një masë sigurimi, aktet u vihen në dispozicion të gjithë të pandehurve, avokatëve të tyre. Ato akte kalojnë në shumë duar, dhe nganjëherë është e vështirë të kuptosh se nga rrjedh informacioni. E përsëris që pavarësisht asaj që ndodhi, apo që ka ndodhur edhe në raste të tjera, se ky nuk është rasti i vetëm, ne e kemi vazhduar ndjekjen penale. Po punojmë intensivisht për të provuar edhe më shumë veprimtarinë kriminale të atyre grupeve, që janë me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Nuk përbën problem, për momentin, që dikush prej tyre nuk është kapur. Po vazhdojmë pa kufizim hetimin ndaj tyre.

Zëri i Amerikës: Sa të fuqishme janë grupet kriminale në Shqipëri? Kemi parë kapjen e sasive të mëdha të drogës në portin e Durrësit. Sa të fuqishme janë ato realisht?

Arben Kraja: Kohët e fundit ne po vërejmë përfshirjen e shtetasve shqiptarë në veprimtari kriminale jashtë vendit, sidomos në trafikun e drogave, duke u aktivizuar që në vendet e burimit, në vendet e Amerikës së jugut, me garantimin e transportit përmes anijeve, apo rrugë të ndryshme detare drejt Evropës perëndimore. Kjo është dukuri shqetësuese, jo vetëm sepse dëmton jetën e njerëzve, që i përdorin këto droga në shtetet ku shkon droga, por edhe për Shqipërinë ka pasoja. Një pjesë e mirë e parave rrjedhin nga ky aktivitet kriminal vijnë dhe investohen në Shqipëri. Në Shqipëri ndodhin shumë vrasje apo grabitje të dhunshme, ngjarje të dhunshme që lidhen me aktivitetin jashtë vendit të këtyre grupeve kriminale. Ne si shtet jemi të përfshirë në pasojat që sjell ky aktivitet. Për këtë arsye jemi të vendosur dhe kemi punuar shumë fort për të vendosur kontakte me gjithë autoritetet e huaja që ne bashkëpunojmë në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe takimet këtu në Shtetet e Bashkuara, me një pjesë të strukturave të zbatimit të ligjit, ishin në këtë drejtim: që të vendosim kontakte, të shkëmbejme informacion dhe të punojmë të gjithë së bashku për ta luftuar këtë dukuri.

XS
SM
MD
LG