Tensionet mes Jerusalemit dhe Moskës po rriten pas një përpjekjeje ruse për të mbyllur zyrën e Agjencisë Hebraike në Moskë. Agjencia gjysëm-qeveritare ndihmon hebrenjtë të emigrojnë në Izrael, por Rusia thotë se ajo shkel ligjet vendore duke mbledhur informacione për qytetarët rusë. Zyrtarët izraelitë thonë se besojnë se kjo ka të bëjë më shumë me mbështetjen në rritje të Izraelit për Ukrainën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein njofton nga Jeruzalemi.
Më shumë se 50,000 hebrenj rusë dhe ukrainas janë shpërngulur në Izrael që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë në fund të shkurtit. Shumë janë në ankth të largohen nga Rusia për shkak të rritjes së antisemitizmit, krizës ekonomike dhe shqetësimit të tyre se politikat shtypëse të Bashkimit Sovjetik po rikthehen, thotë Pinchas Goldschmidt, ish-kryerabini i Moskës, i cili u detyrua të mërgojë.
“Arsyeja numër një është frika nga mbyllja e Perdes së Hekurt. Do të thotë se një ditë në të ardhmen e afërt, do të jetë e pamundur të largohesh nga Rusia. Kjo frikë ekziston nga shumë anëtarë të komunitetit hebre rus”.
Vala e emigracionit menaxhohet nga Agjencia Hebraike, një organ thuajse-qeveritar që ndihmon hebrenjtë nga e gjithë bota të kthehen në Izrael. Por Rusia së fundmi kërcënoi se do të mbyllte operacionet e Agjencisë Hebraike në Moskë dhe do ta çonte organizatën në gjykatë, duke pretenduar se ajo shkel ligjin rus duke mbledhur informacione për qytetarët rusë.
Sipas ish-disidentit sovjetik dhe ish-drejtorit të Agjencisë Hebraike, Natan Sharansky, presioni rus për të mbyllur zyrën ka të bëjë më shumë me politikën se çdo gjë tjetër.
“Rusia, e cila është pothuajse plotësisht e izoluar nga bota e lirë, po kërkon mënyra si ta thyejë izolimin e saj. Po shikon si të bëjë trysni ndaj vendeve të ndryshme. Ata po përpiqen t'i bëjnë trysni Gjermanisë që njerëzit të fillojnë të vdesin nga të ftohtit në dimër. Dhe kanë filluar të na bëjnë presion ne për Agjencinë Hebraike”.
Analistët izraelitë thonë se Rusia nuk është e kënaqur me politikën e kryeministrit të ri Yair Lapid për luftën në Ukrainë. Paraardhësi i tij, Naftali Bennett, ishte i kujdesshëm të mos kritikonte Rusinë dhe madje shkoi në Moskë në fillim të luftës me një ofertë për të ndërmjetësuar.
“Yair Lapid, ndërsa ishte ende ministër i Jashtëm dhe me kalimin në postin e kryeministrit, ka ndjekur një qasje më pak të balancuar. Ai e ka identifikuar më qartë Rusinë si agresore, dhe është ky është kryesisht një ndryshim retorik më shumë se çdo gjë tjetër, por në këtë konflikt, retorika ka rëndësi.”
Ai thotë se Rusia është mjaft e zënë me luftën në Ukrainë dhe nuk dëshiron një konfrontim diplomatik në shkallë të plotë me Izraelin. Dhe ka të ngjarë që Rusia të gjejë një mënyrë për të zbutur tensionet dhe të vazhdojë të lejojë hebrenjtë rusë të emigrojnë.