Anija e parë me drithë që u largua nga Ukraina dhe përshkoi Detin e Zi, kaloi inspektimin të mërkurën në Stamboll dhe është drejtuar për në Liban.
Ukraina tha se 17 anije të tjera janë "ngarkuar dhe po prisnin lejen për t'u larguar", por nuk ka ende njoftim se kur mund të niseshin.
Një ekip i përbashkët inspektimi civil kontrolloi për tre orë ngarkesën dhe ekuipazhin e anijes Razoni me flamur të Sierra Leones, e cila u nis nga Odesa të hënën duke transportuar misër ukrainas, thuhet në një deklaratë të Kombeve të Bashkuara.
Ekipi i Qendrës së Përbashkët të Koordinimit përfshinte zyrtarë nga Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara, të cilët nënshkruan një marrëveshje muajin e kaluar për të krijuar korridore të sigurta për transportin në Detin e Zi, për të eksportuar produktet jetike bujqësore të Ukrainës.
Ukraina është një furnizuese e madhe global e drithërave, por lufta kishte bllokuar shumicën e eksporteve. Marrëveshja e 22 korrikut synonte të përmirësonte sigurinë ushqimore në mbarë globin. Çmimet botërore të ushqimeve janë rritur në një krizë që është shkaktuar nga lufta, problemet e zinxhirit të furnizimit dhe COVID-19.
Marrëveshja e ka afatin 120 ditë, por mund të rinovohet.
Megjithëse Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken e quajti udhëtimin e anijes Razoni një "hap të rëndësishëm", asnjë anije tjetër nuk është larguar nga Ukraina në 48 orët e fundit dhe asnjë nga palët nuk ka dhënë shpjegime për vonesën.
OKB-ja tha në një deklaratë se tre porte të Ukrainës do të rifillojnë eksportimin e miliona tonëve grurë, misër dhe drithërave të tjera.
Rreth 20 milionë tonë kanë ngecur në Ukrainë që nga fillimi i luftës 6-mujore.