Pas një ndërprerjeje dyvjeçare për shkak të pandemisë, rikthehet panairi vjetor i makinave klasike, antike dhe unike në Kaliforni. Zëri i Amerikës sjell atmosferën e panairit të makinave që tërheq mijëra entuziastë në Glendale të Kalifornisë.
Makina klasike dhe antike të të gjitha modeleve dhe ngjyrave, disa prej tyre të prodhuara 100 vjet më parë shfaqen çdo vit në qendër të qytetit Glendale në Kaliforni.
Rruga kryesore shndërrohet në një shfaqje magjepsëse të historisë së makinave, duke tërhequr rreth 60 mijë spektatorë.
"Kemi njerëz nga e gjithë Arizona, Santa Barbara që vijnë në këtë panair me një popullaritet në rritje."
Patty Betancourt, Koordinatore e Shërbimeve për Komunitetin në Glendale, rrëfen se si lindi ideja për mbajtjen e këtij panairi.
“Panairi filloi në vitin 1994 dhe ishte i lidhur me Kupën e Botës që u mbajt në Pasadena të Kalifornisë. Atëherë, ne u përpoqëm t’i tërhiqnim tifozët në Glendale”, thotë ajo.
Përpjekja ishte e suksesshme. Pronarët e makinave klasike u dyndën në qytet për të ekspozuar pasuritë e tyre të çmuara, duke tërhequr entuziastët e makinave klasike dhe antike.
Jorge Chavez është pronar e kësaj makine Chevrolet të vitit 1936.
Ai e bleu makinën për 20 mijë dollarë dhe shpenzoi qindra orë për riparimin e saj.
“Kjo ka qenë gjithmonë një ëndërr për mua dhe familjen time. Ne jemi rritur me këtë kulturë. Të kisha një makine si kjo ishte një nga synimet që kisha në jetë”, thotë Jorge Chavez.
Kultura e makinave është pjesë e rëndësishme në familjen e zotit Chavez.
“Kjo ishte makina e parë që e transformova dhe jam i kënaqur me punën time. Shpresoj që pasi t'ia dorëzoj djalit tim, ai do ta vazhdojë traditën në brezat e ardhshëm”, thotë ai.
Disa makina të shfaqura këtu janë unike dhe shumë të vjetra, si ky Mercedes i vitit 1935, një Pontiac i vitit 1950, një Corvette e kuqe e vitit 1956.
Në panair po shfaqen edhe makina të tjera si Chevy, Camaro, Volswagen dhe makina luksoze Rolls Royce.
Për pjesëmarrësen Lona Aguirre, panairi është një mundësi për të ndarë makinën e saj tërheqëse me të tjerët.
“Më pëlqejnë pikturat murale sepse ato përfaqësojnë kulturën time, kulturën meksikane që lidhet me ‘Ditën e të Vdekurve’. Më kujton të gjithë njerëzit që kanë vdekur, gëzimin dhe lumturinë që kishim më parë, dhe kjo është ajo që më bën të lumtur ta ndaj me të gjithë”, thotë ajo.
Panairi tërheq gjithashtu makina të modifikuara si kjo makinë e transformuar e viteve 70, koleksione ndërkombëtare, automjete unike dhe të çuditshme, dhe makina nga filmat dhe shfaqjet televizive si “Miami Vice”, “KITT”, dhe “Knight Rider”.