Energjia diellore në komunitet po shndërrohet në një nga zgjidhjet për burime energjetike që nuk ndotin mjedisin. Panelet diellore, të gjendura në zonat urbane, në çatitë e ndërtesave të larta, të godinave të apartamenteve dhe magazinave, kanë filluar të luajnë një rol më të madh në përpjekjet e Amerikës për krijimin e një rrjeti energjie të gjelbër. Siç njofton nga Nju Jorku korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aron Ranen, kjo merr rëndësi të veçantë ndërsa vala e të nxehtit po përfshin mbarë botën.
Ndërsa Amerika dhe mbarë bota kërcënohen nga ngrohja globale, dhe vala e të nxehtit ka përfshirë të gjithë globin, shumë njerëz po punojnë për të gjetur zgjidhje për uljen e ndotjes nga gazi karbonik, për të cilin shkencëtarët thonë se kontribuon për këto temperatura të larta.
“Vala e të nxehtit, në veçanti këtë javë, ka qenë ekstreme, në Evropë dhe në mbarë botën. Personalisht kujdesem shumë për mjedisin dhe kështu që po përpiqem të ngre një kompani të energjisë së pastër të përqendruar në zonat urbane, për të ndihmuar kundër ndryshimit klimatik”, thotë Russell Wilcox, themelues i kompanisë “Urban Energy”.
Panelet diellore si këto në lagjen Brooklyn të Nju Jorkut, ushqejnë me energji rrjetin elektrik, duke ofruar kështu energji të gjelbër nga e cila mund të përfitojnë të gjithë konsumatorët.
“Funksionojmë si një lloj mini-centrali energjie nëpër çatira, për ta ushqyer rrjetin me sa më shumë energji të pastër të jetë e mundur”, thotë zoti Wilcox.
Energjia e prodhuar nga ky sistem panelesh transmetohet në katin e nëndheshëm të godinës, ku kalon drejtpërdrejt në rrjetin elektrik të Nju Jorkut.
“Energjia vjen në formën e rrymës direkte dhe paisjet e shndërrojnë në rrymë alternative. Këtu gjendet edhe një sahat i kompanisë energjetike që mat sasinë e energjisë diellore që është prodhuar”, thotë zoti Wilcox.
Pasi hyn në rrjet, energjia shkon tek të gjithë konsumatorët. Procesi i krijimit të energjisë diellore në komunitet, ka filluar të zërë vend në Amerikë.
22 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë politika që mbështesin përdorimin e energjisë diellore në komunitet.
Shkencëtarët ngrenë pikëpyetjen nëse energjia diellore do të ruajë ritmin e duhur.
“Nuk e di, por mendoj se na duhet, qoftë edhe nëse përmbush vetëm një pjesë të vogël të nevojave”, thotë Vijay Modi, profesor i Universitetit të Kolumbias.
Ai thotë se situata është kritike dhe se duhet të hidhen të gjithë në veprim.
“Urgjenca e ndryshimit klimatik, që shumë njerëz po e quajnë krizë klimatike... shikoni edhe valën e të nxehtit ku gjendemi. Nëse shumë individë bëjnë pjesën e tyre, kjo mund të marrë vlerë të madhe”, thotë Vijay Modi, profesor i Universitetit të Kolumbias.
Burimet e rinovueshme të energjisë përbëjnë rreth 20% të energjisë që prodhohet në Shtetet e Bashkuara. Nga kjo vetëm 3% është energji diellore. Megjithatë, me angazhimin e marrë nga Presidenti Joe Biden për të arritur në nivelin zero të ndotjes nga sektori energjetik brenda vitit 2035, dhe me ndihmën që ofrojnë këto panele diellore, këto shifra me siguri që do të rriten.