Dhjetëra të burgosur lufte ukrainas dyshohet të jenë vrarë në një sulm me raketa të premten, ndërsa Moska dhe Kievi akuzojnë njëri-tjetrin për sulmin.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se 40 të burgosur u vranë dhe 75 u plagosën në sulmin ndaj burgut në qytetin Olenivka, të kontrolluar nga separatistët pro-rusë, në rajonin e Donetskut.
Moska e akuzoi Kievin se e kishte goditur burgun me raketa HIMARS të prodhuara në SHBA, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.
Forcat e armatosura të Ukrainës mohuan autorësinë e sulmit dhe fajësuan forcat ruse për të, duke thënë se artileria ruse kishte vënë në shënjestër burgun.
"Në këtë mënyrë, pushtuesit rusë zbatuan qëllimet e tyre kriminale – për të akuzuar Ukrainën për kryerje e 'krimeve të luftës', si dhe për të fshehur torturat e të burgosurve dhe ekzekutimet," tha shtabi i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se në burg strehoheshin të burgosur lufte ukrainas dhe se tetë punonjës të burgut u plagosën. Udhëheqësi separatist i mbështetur nga Rusia, Denis Pushilin, citohet të ketë thënë se nuk kishte asnjë të huaj në mesin e 193 personave të mbajtur atje.
Videoja e lëshuar nga korrespondenti rus i luftës, Andrei Rudenko, tregonte personelin ushtarak të mbështetur nga Rusia duke shqyrtuar rrënojat e djegura të atij që ai tha se ishte burgu.
Nga çatia e shembur e ndërtesës, mund të shiheshin mbetjet e trupave të djegur.
Trupat ukrainase u kapën rob pas luftimeve të ashpra për portin e Mariupolit në Detin Azov të Ukrainës. Ata ishin strehuar në fabrikën gjigante të çelikut Azovstal për muaj të tërë.
Regjimenti Azov dhe njësi të tjera ukrainase mbrojtën fabrikën e çelikut për gati tre muaj, duke u strehuar në tunelet e saj nëntokësore. Ata u dorëzuan në muajin maj nën sulmet e pamëshirshme ruse nga toka, deti dhe ajri.
Dhjetëra ushtarë ukrainas u dërguan më pas në burgje në zonat e kontrolluara nga Rusia si rajoni Donetsk, një zonë e shkëputur në Ukrainën lindore e cila drejtohet nga autoritetet separatiste të mbështetura nga Rusia.