Një ligj që synon të nxisë kompanitë të ndërtojnë fabrika të prodhimit të mikroprocesorëve në Shtetet e Bashkuara, u miratua në Senat të mërkurën, ndërsa ligjvënësit po përpiqen të përfundojnë punën për njërën nga përparësitë kyçe të administratës së Presidentit Biden.
Masa prej 280 miliardë dollarësh, e cila tani pritet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, përfshin grante federale dhe lehtësime tatimore për kompanitë që ndërtojnë fabrika të prodhimit të mikroprocesorëve në Shtetet e Bashkuara. Legjislacioni gjithashtu udhëzon Kongresin të rrisë ndjeshëm shpenzimet për programet kërkimore të teknologjisë së lartë që ligjvënësit thonë se do të ndihmojnë vendin të vazhdojë të jetë ekonomikisht konkurrues në dekadat e ardhshme.
Ligji u miratua në Senat me 64 vota pro dhe 33 kundër. Votimi i tij në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të bëhet në fund të kësaj jave, ndërsa ligjvënësit përpiqen të përfundojnë punët para se të kthehen në shtetet e tyre për pushimin e verës në muajin gusht. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se është e bindur se ka mbështetje të mjaftueshme në Dhomën e Përfaqësuesve për të miratuar projektligjin përpara fillimit të pushimeve.
Përkrahësit e legjislacionit thonë se vendet e tjera po shpenzojnë miliarda dollarë për të joshur prodhuesit e mikroprocesorëve. Ata thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë të njëjtën gjë ose rrezikojnë të humbasin një furnizim të sigurt me mikroprocesorë që përdoren për funksionimin e makinave, kompjuterave, pajisjeve dhe disa nga sistemet më të avancuara të armëve.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, tha se projektligji përfaqësonte një nga investimet më të mëdha të vendit në shkencë dhe prodhim në dekada dhe se me miratimin e tij në Senat "ne themi se vitet më të mira të Amerikës janë ende përpara ".
Kundërshtarët kanë qenë kritikë për koston e projektligjit. Ai parashikohet të rrisë deficitin federal me rreth 79 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme.
Presidenti Joe Biden tha të hënën se mikroprocesorët janë "blloqet ndërtuese për ekonominë moderne" dhe ai i kërkoi Kongresit që ta miratonte ligjin sa më shpejt. Në një diskutim virtual me udhëheqës të industrisë së prodhimit të mikroprocesorëve, Presidenti Biden tha se mungesat e mikroprocesorëve ka qenë një nga shkaktarët kryesorë të rritjes së kostos së makinave, dhe një nga elementët më të rëndësishëm të inflacionit që ka përfshirë vendin. Ai tha se Shtetet e Bashkuara tani mbështeten te Tajvani për prodhimin e mikroprocesorëve më të avancuar dhe se Kina po fillonte gjithashtu të përparonte më shpejt se Shtetet e Bashkuara në prodhimin e këtyre llojeve të mikroprocesorëve.