Lidhje

Meta vendos antikorrupsionin në krye të detyrave të Partisë së Lirisë


Në Tiranë, ish presidenti Ilir Meta, bëri të ditur se do të drejtojë forcën opozitare, Partia e Lirisë, duke mbajtur në qendër të vëmendjes luftën kundër korrupsionit.

LSI ndërron emrin në Partia e Lirisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Vetëm 24 orë pasi mbylli mandatin e tij si President i Republikës, zoti Meta ndërroi emrin e Partisë së themeluar prej tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, shkriu dhe rindërtoi gjithë strukturat e saj.

Ai tha se partia e tij do të ishte gjithëpërfshirëse ndaj rrymave politike, për sa kohë që asnjë parti tjetër në Shqipëri nuk kishte tipare të qarta politike, të majta apo të djathta.

Ish Presidenti i Republikës, Ilir Meta, bëri sot të ditur se do të drejtojë sot e tutje një parti gjithëpërfshirëse nga pikëpamja politike.

Kjo është po ashtu një përpjekje për të fshirë, bashkë me emrin e partisë së vjetër, edhe të gjithë lidhjet e saj me të majtën dhe me zyrtarë, që kanë spekulluar në pushtet nën logon e saj.

Forca e tij politike do të quhet këtej e tutje Partia e Lirisë, ndonëse ajo do të mbështetet në të njëjtat struktura degësh, që u shkrinë dhe u ngritën sërish.

Në konferencën e parë të shtypit si drejtues partiak pas pesë vjetësh në presidencë, zoti Meta përsëriti të njëjtat akuza për korrupsion ndaj qeverisë dhe ndaj kryeministrit Rama.

“Korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni është shqetësimi kryesor I shoqërisë shqiptare dhe I yni si parti politike” , tha zoti Meta.

LSI u krjiua 18 vjet më parë pas debateve në radhët e Partisë Socialiste, kur zoti Meta ishte nënkryetar për shumë vite.

Gjatë këtyre dy dekadave, edhe pse me pak mandate në Kuvend, LSI ishte një forcë e rëndësishme për të ndryshuar peshoren e pushtetit. Ajo u fut herë në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike e herë me Partinë Socialiste, duke marrë ministritë më të rëndësishme, që lidhen me ekonominë, mjedisin dhe infrastrukturën.

Në këto 30 vite pluralizëm, LSI bëhet partia e dytë në Shqipëri, pas Partisë së Punës, që ndërron emrin për të hapur një fazë të re, duke lënë pas veprimtarinë e mëparshme.

Drejtuesi i saj, Ilir Meta, tha sot se partia e tij do të jetë gjithëpërfshirëse e rrymave politike, përsa kohë asnjë parti tjetër nuk ka tipare të spikatura dhe nuk u qëndron besnike parimeve tradicionale të majtës dhe të djathtës shqiptare.

“Ne jemi Partia e Lirisë. Liria nuk është as e majtë as e djathtë. Kushtetuta nuk është as e majtë as e djathtë” , tha zoti Meta.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore LSI u regjistrua në koalicionin Shtëpia e Lirisë, me grupin rithemelues të PD-së, që tani drejtohet nga ish kryeministri Sali Berisha, ndërsa grupimi tjetër i zotit Enkelejd Alibeaj është në pritje të vendimit të Apelit mbi të drejtat e përfaqësimit të saj.

Ndërsa kritikon shpesh rrugën e ndjekur nga ish kryetari i PD-së Lulzim Basha, në raport me PD-në, zoti Meta pritet të qëndrojë afër politikave të ish kryeministrit Berisha, i cili është shpallur non grata nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion dhe lidhje me grupet e krimit të organizuar.

Nga ana tjetër zoti Meta i mbijetoi dy përpjekjeve të Partisë Socialiste për ta shkarkuar nga detyra e presidentit, ku ata e zgjodhën me shumicën e votave të tyre.

Tani pas një morie akuzash nga posti i presidentit për abuzimet e qeverisë Rama, zoti Meta deklaroi se rrëzimi i qeverisë socialiste është angazhimi i partisë së tij më të re Partia e Lirisë.

XS
SM
MD
LG