Lidhje

Rusia sulmon rajone të Detit të Zi të Ukrainës


Rusia ndërmori të martën sulme ajrore ndaj rajoneve të Detit të Zi të Ukrainës, Odesa dhe Mykolaiv, duke goditur godina private dhe infrastrukturën e portit përgjatë bregdetit jugor të vendit, tha ushtria ukrainase.

Forcat ruse përdorën raketa nga ajri për sulmin, tha Komanda Operacionale e Ukrainës Jugore në një postim në Facebook.

Në rajonin e Odesas, një numër godinash private në fshatrat bregdetare u goditën dhe morën zjarr, sipas njoftimit. Në rajonin e Mykolaivit sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën e portit.

Disa orë pas sulmeve në jug, një zyrtar i vendosur nga Moska në rajonin jugor të Khersonit tha se së shpejti forcat ruse do t’i “çlirojnë” rajonet e Odesës dhe Mykolaivit, ashtu si Khersonin më në lindje.

Zhvillimet vijnë pasi Ukraina dukej se po përgatiste një kundërofensivë në jug.

Në fundjavë Rusia sulmoi portin e Odesës. Ushtria britanike tha të martën se nuk kishte shenja që atje të kishte një anije luftarake dhe raketa ukrainase, siç kishte pretenduar Moska.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha se Rusia e sheh përdorimin e raketave kundër anijeve nga ana e Ukrainës si "një kërcënim kyç" ndaj flotës së saj në Detin e Zi.

Zyra e presidentit ukrainas tha të martën se gjatë 24 orëve të fundit ushtria ruse kishte vrarë të paktën tre civilë dhe plagosur tetë të tjerë në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG