Lidhje

Rusia thotë se synon të rrëzojë “regjimin e papranueshëm” në Ukrainë


Sergej Lavrov
Sergej Lavrov

Kryediplomati rus tha se qëllimi kryesor i Moskës në Ukrainë është të çlirojë popullin e saj nga "regjimi i saj i papranueshëm", duke shprehur qëllimet e luftës të Kremlinit në një nga mënyrat më të drejtpërdrejta, ndërkohë që forcat e saj po sulmojnë Ukrainën nga toka dhe ajri.

Komentet e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov pasojnë përpjekjet e Ukrainës për të rifilluar eksportet e grurit nga portet e saj të Detit të Zi, një veprim që do të ndihmonte në lehtësimin e mungesës globale të ushqimit, bazuar në një marrëveshjeje të re, të vënë në provë nga një sulm rus në Odesa gjatë fundjavës.

Duke folur me të dërguarit në një takim të Lidhjes Arabe në Kajro të dielën vonë, zoti Lavrov akuzoi Kievin dhe aleatët e tij perëndimorë për përhapjen e propagandës që synon të sigurojë që Ukraina "të bëhet armiku i përjetshëm i Rusisë".

“Ne jemi të vendosur ta ndihmojmë popullin e Ukrainës lindore që të çlirohet nga barra e këtij regjimi plotësisht të papranueshëm”, tha ai.

Duke sugjeruar me sa duket, se objektivat e Moskës shtrihen përtej rajonit industrial të Donbasit në Ukrainën lindore. Zori Lavrov tha: "Ne me siguri do të ndihmojmë popullin ukrainas të heqë qafe regjimin, i cili është absolutisht antipopullor dhe antihistorik".

Komentet e zotit Lavrov pasuan paralajmërimin e tij javën e kaluar se Rusia planifikon të mbajë kontrollin mbi zona më të gjera përtej Ukrainës lindore, duke përfshirë rajonet e Khersonit dhe Zaporizhzhias në jug, dhe do të ketë më shumë zgjerime territori diku tjetër.

Komentet e fundit të krydeiplomatit rus bien ndesh me linjën e Kremlinit në fillim të luftës se Rusia nuk po kërkonte të rrëzonte qeverinë e Presidentit Volodymyr Zelenskyy, ndonëse trupat e Moskës në atë kohë po i afroheshin Kievit. Rusia më vonë u tërhoq nga rrethinat e kryeqytetit dhe e ktheu vëmendjen në rajonin e Donbasit. Luftimet tani janë në muajin e gjashtë.

Zoti Lavrov theksoi se Rusia ishte e gatshme të negocionte një marrëveshje për t'i dhënë fund armiqësive në mars, por Kievi ndryshoi qëndrim duke deklaruar synimin e tij për të shpartalluar Rusinë në fushën e betejës. Ai tha se Perëndimi e ka inkurajuar Ukrainën që të vazhdojë të luftojë.

“Perëndimi këmbëngul se Ukraina nuk duhet të fillojë negociatat derisa Rusia të mposhtet në fushën e betejës”, tha zoti Lavrov.

Nuk është ende e qartë se kur do të rifillojnë eksportet e grurit pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes Rusisë dhe Ukrainës në prani të OKB-së dhe Turqisë të premten. Marrëveshjet synojnë t’i hapin rrugën eksportit të miliona tonëve të drithit ukrainas shumë të nevojshëm, si dhe eksportit të grurit dhe plehrave kimike ruse.

Zëvendësministri ukrainas i infrastrukturës, Yury Vaskov, tha se dërgesa e parë e grurit është planifikuar të bëhet këtë javë.

Ndërsa Rusia u përball me akuza se sulmi i fundjavës në portin e Odesa-s ishte një shkelje e marrëveshjes, Moska këmbënguli se sulmi nuk do të ndikonte në dërgesat e grurit.

Gjatë një vizite në Republikën e Kongos të hënën, zoti Lavrov përsëriti pretendimin e ushtrisë ruse se sulmi kishte në shënjestër një varkë të marinës ukrainase dhe një depo me raketa “Harpoon” të furnizuara nga Perëndimi. Ai tha se sulmi kishte në shënjestër një sektor ushtarak të portit në "një distancë të konsiderueshme" nga terminali i grurit.

“Ne nuk kemi krijuar asnjë pengesë për dërgimin e grurit, të parashikuar në marrëveshjet e nënshkruara në Stamboll”, tha Lavrov. Ai tha se marrëveshjet “nuk përmbajnë asgjë që do të na pengonte nga vazhdimi i operacionit special ushtarak dhe shkatërrimi i infrastrukturës ushtarake dhe objektivave të tjera ushtarake”.

Ministri i Jashtëm gjithashtu kishte në plan të vizitonte Ugandën dhe Etiopinë në atë që shihet si një përpjekje për të forcuar mbështetjen afrikane për Kremlinin, kryesisht votat e ardhshme në Kombet e Bashkuara.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se vendi i tij nuk ka asnjë interes të ndalojë të gjitha furnizimet me gaz në Evropë dhe se kufizimet e fundit “janë thjesht pasoja të kufizimeve që kanë vëndosur evropianët dhe vetë ata po vuajnë nga kufizimet”.

“Rusia është një furnizues i përgjegjshëm i gazit, dhe pavarësisht se çfarë thotë dikush, Komisioni Evropian, në kryeqytetet evropiane apo në Shtetet e Bashkuara, Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë një vend që në një masë të madhe garanton sigurinë energjetike të Evropës”, tha zëdhënësi Peskov.

Gazprom, gjigandi rus i gazit, tha disa orë më pas se do të reduktonte më tej furnizimin me gaz natyror përmes një tubacioni kryesor drejt Evropës në masën 20% të kapacitetit, duke vënë theksin tek riparimet e pajisjeve.

Ndërkohë, zyrtarë të presidencës në Ukrainë thanë të hënën se të paktën dy civilë u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse gjatë 24 orëve të fundit.

Në rajonin lindor të Donetskut, qendra e ofensivës ruse, artileria ruse goditi qytetet Avdiivka, Kramatorsk dhe Kostiantynivka. Një sulm ajror ndaj qytetit Bakhmut dëmtoi të paktën pesë shtëpi.

“Rusët po përdorin taktikat e shkatërrimit të gjithçkaje në mbarë rajonin e Donbasit. Ata sulmojnë nga toka dhe ajri me synimin për të shkatërruar qytete të tëra”, tha gjatë një dalje televizive guvernatori i Donetsk-ut Pavlo Kyrylenko.

Rusët goditën gjithashtu rajonin e Kharkiv-it. Në Chuhuiv, ekipet e ndihnës së shpejtë kërkuan për njerëz që besohej të ishin bllokuar nën rrënoja pasi 12 raketa goditën qytetin para agimit. Sulmet dëmtuan një qendër kulturore, një shkollë dhe pjesë të tjera të infrastrukturës, thanë autoritetet.

“Për vite me radhë shoqëria jonë, banorët tanë janë përpjekur të krijojnë kushte të përshtatshme jetese”, tha kryebashkiakja Galina Minayeva. “Tani armiku po shkatërron gjithçka, duke vrarë fëmijë dhe banorë të pafajshëm. Është shumë e vështirë ta përshkruash situatën”.

Guvernatori i Kharkiv-it, Oleh Synyehubov tha: “Duket si një llotari vdekjeprurëse kur askush nuk e di se ku do të jetë goditja e radhës”.

Në zhvillime të tjera, Rusia tha se kishte zmbrapsur një përpjekje të zbulimit ushtarak ukrainas për të joshur pilotët ushtarakë rusë që t'i dorëzonin avionët e tyre në Ukrainë.

FSB-ja, agjencia ruse e zbulimit, pasardhëse e KGB-së, tha se Ukraina u ofronte pilotëve rus para dhe shtetësi në vendet e Bashkimit Evropian.

Në një video të publikuar nga FSB-ja ruse, një burrë që supozohet se ishte oficer i zbulimit ukrainas i ofron një piloti 2 milionë dollarë për ta dorëzuar avionin e tij gjatë një misioni mbi Ukrainë. Televizioni shtetëror rus pretendon se agjencitë perëndimore të spiunazhit ndihmuan përpjekjet ukrainase. Pretendimet ruse nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

XS
SM
MD
LG