Lidhje

Lavrov në Egjipt, pjesë e një vizite në Afrikë ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë


Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov duke u takuar me homologun e tij egjiptian Sameh Shoukry në Kajro (24 korrik 2022)
Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov duke u takuar me homologun e tij egjiptian Sameh Shoukry në Kajro (24 korrik 2022)

KAJRO – Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov gjendet në Kajro për bisedime të dielën me zyrtarët egjiptianë, ndërsa vendi i tij po përpiqet të çajë izolimin diplomatik dhe sanksionet e vendosura nga Perëndimi për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.

Zoti Lavrov mbërriti në Kajro të shtunën vonë, ku do të jetë ndalesa e parë e udhëtimit të tij në Afrikë, ku do të vizitojë gjithashtu Etiopinë, Ugandën dhe Republikën Demokratike të Kongos, sipas një njoftimi të televizionit shtetëror rus RT.

Ministria e jashtme egjiptiane tha se Ministri i Jashtëm Sameh Shukry po zhvillonte bisedime me zotin Lavrov paraditen e së dielës.

Kryediplomati rus ishte planifikuar të takohej në vazhdim me Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes Arabe, Ahmed Abdoul Gheit. Ai gjithashtu pritet të mbajë një fjalim përpara përfaqësuesve të kësaj organizate të vendeve arabe.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka pasoja të rënda për ekonominë botërore, duke rritur çmimet e naftës dhe gazit në nivele të paprecedenta.

Ukraina është një ndër eksportuesit më të mëdhenj të botës për grurin, misrin dhe vajin e lulediellit, por sulmi i Rusisë dhe bllokada detare ndaj porteve ukrainase i ka ndalur ngarkesat.

Lufta ka ndërprerë edhe dërgimin e produkteve ruse pasi kompanitë e transportit dhe të siguracioneve nuk duan të përballen me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë.

Vendet afrikane radhiten ndër vendet që janë prekur më shumë nga pasojat e luftës. Çmimet e produkteve jetësore janë rritur së tepërmi dhe miliarda dollarë ndihma janë orientuar tashmë drejt personave që po i largohen luftës në Evropë. Kjo ka lënë miliona njerëz në zonat e konfliktit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme që të vuajnë edhe pasojat e mungesave në rritje të ushqimeve dhe ndihmave të tjera.

Takimi i zotit Lavrov me zyrtarët egjiptianë dhe të dërguarit e vendeve arabe në Kajro vjen vetëm dy javë pas vizitës në Lindjen e Mesme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Presidenti amerikan u takua me udhëheqësit e Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, përpara se të merrte pjesë në një takim në Arabinë Saudite me vendet e Gjirit Persik, si dhe Egjiptin, Jordaninë dhe Irakun.

Egjipti, vendi arab me popullsinë më të madhe në botë, refuzoi të mbajë anë që kur lufta filloi në Ukrainë në muajin shkurt, dhe ruan marrëdhënie të afërta si me Moskën ashtu edhe me Perëndimin.

Egjipti është ndër importuesit më të mëdhenj të grurit, pjesën më të madhe të të cilit e merr nga Rusia dhe Ukraina.

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah el-Sissi ka kultivuar një raport të ngushtë personal me Presidentin rus Vladimir Putin. Të dy udhëheqësit kanë forcuar dukshëm marrëdhëniet dypalëshe gjatë viteve të fundit.

Vizita e zotit Lavrov në Kajro vjen ndërsa korporata shtetërore ruse e energjisë atomike, Rosatom, filloi javën e kaluar ndërtimin në Egjipt të një centrali bërthamor me katër reaktorë.

XS
SM
MD
LG