Ish Presidenti Sali Berisha u shpall sot non grata nga Britania e Madhe për lidhje me grupe të krimit të organizuar dhe pasurim përmes korrupsionit për vete dhe rrethit të njerëzve pranë tij.
Në letrën zyrtare nga Londra drejtuar zotit Berisha theksohet se ai mban lidhje me kriminelë, që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat ai është i gatshëm t’i përdorë për të arritur ambicjet e veta politike.
Përmbajtjen e njoftimit e bëri publike vet zoti Berisha, i cili i hodhi poshtë këto akuzua si “vazhdim i shpifjeve dhe gënjeshtrave” të sponsorizuara nga Edi Rama dhe “lobimit korruptiv” të tij dhe George Soros.
Ish-presidenti, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi sot vetë përmbajtjen e letrës që i kishte ardhur nga Londra, sipas të cilës, ai nuk lejohej të hynte në Mbretërinë e Bashkuara kishte lidhje me grupe kriminale, të cilat i përdorte për pasurim korruptiv dhe për të realizuar ambicjet e tij politike.
Në letrën, e cituar prej tij, thuhej se kriminelët me të cilët ai mban lidhje përbënin rrezik për sigurinë publike në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri.
Por zoti Berisha i hodhi poshtë këto akuza si të pabazuara në prova e fakte, por të mbështetura në shpifje dhe gënjeshtra të kryeministrit Edi Rama dhe lobimit të tij korruptiv me George Soros, ngjashëm si në vendimin e departamentit të shtetit ndaj tij më shumë se një vit më parë.
Zoti Berisha deklaroi se po synohet kthimi i Shqipërisë në një vend pa opozitë, “së cilës i rripet çdo pasuri, e nga e cila shqiptarët ikin nga sytë këmbët, si dhe po synohet mbajtja në pushtet e qeverisë më të korruptuar në Europë”. Ai ftoi autoritetet britanike që të dorëzojnë pranë organeve të drejtësisë të vendit të tyre dhe të Shqipërisë, çdo fakt, provë apo dokument për akuzat që ngrejnë kundër tij.
“Për akuzën se unë kam lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët i kam përdorur për qëllime politike. Kjo është një akuzë që nuk më është bërë kurrë, as nga kundërshtarët e mi dhe nga asnjë institucion zyrtar kombëtar apo ndërkombëtar. Askush tjetër sa unë nuk ka denoncuar pa ndalur, pa kompromis, me emra, pa marrë parasysh asnjë rrezik personal apo familjar, kriminelët, grupet e organizuara kriminale të këtij vendi, dhe lidhjet e tyre me qeveritarë.” - tha zoti Berisha.
Vendimi i fundit i Londrës zyrtare është i ngjashëm dhe shpreh të njëjtat shqetësime me ato të SHBA-ve. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi në maj të vitit të kaluar ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, për ish kryeministrin Sali Berisha e familjen e tij, për shkak të “akteve të rënda të korrupsionit” dhe “minimit të demokracisë”. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vendosi t’i ndalojë hyrjet e zotit Berisha në SHBA, si një ish-zyrtar i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë, me “veprime korruptive, si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë.”
Diplomatët amerikanë kanë deklaruar se ata nuk do të komunikojnë me Partinë Demokratike, sapo aty të kthehet një person me non grata si zoti Berisha, se ata nuk do të takohen me persona që kanë këtë përcaktim nga SHBA-të dhe se në gjithë historinë e këtyre përcaktimeve për rreth 200 persona asnjë prej nuk është anulluar.