Lidhje

Kompania e energjisë diellore synon uljen e varësisë nga gazi rus


Sipas një eksperti të energjisë në Berlin, Gjermania mund të përballet me një krizë energjetike këtë dimër, nëse furnizimet me gaz nga Rusia pakësohen më tej, ose shkurtohen tërësisht.


Në të njëjtën kohë, një sipërmarrëse ukrainase ka krijuar panele diellore që mund të instalohen në çdo ballkon, për të cilat ajo thotë se mund të ndihmojnë në pakësimin e varësisë nga energjia ruse.

Gazi natyror është burimi kryesor i energjisë në Gjermani. Sipas departamentit gjerman të energjisë, rreth gjysma e familjeve përdorin gaz për ngrohje, dhe disa industri të mëdha janë plotësisht të varura nga gazi.

Një pjesë e madhe e gazit ende vjen nga Rusia. Por kjo mund të ndryshojë. Ka patur një ulje të furnizimeve me gaz që shpërndahet përmes gazsjellësit Nord Stream 1 - burimi kryesor i gazit rus në Gjermani.

Gazsjellësi është planifikuar të jetë jashtë funksionit deri më 21 korrik për riparime rutinë që operatori thotë se përfshin "testimin e elementeve mekanike dhe sistemeve të automatizimit".

Zyrtarët gjermanë dyshojnë tek qëllimet e Rusisë, veçanërisht pasi Gazpromi muajin e kaluar uli fluksin e gazit me 60%. Politikanët gjermanë kanë hedhur poshtë shpjegimin teknik të Rusisë për reduktimin e muajit të kaluar, duke thënë se vendimi ishte një lojë politike për të mbjellë pasiguri dhe për të rritur çmimet.

"Të gjithë janë të shqetësuar për këtë. Është e qartë se fillimisht ata nuk do të dërgojnë më gaz. Por kur të përfundojë periudha e mirëmbajtjes, atëherë duhet ta kthejnë rrjedhën e gazit në 40 për qind të kapacitetit të plotë. Por çfarë ndodh nëse nuk e bëjnë këtë? Problemi me gazin bëhet vërtet i madh. Dhe atëherë ne kemi edhe më pak shanse për ta kaluar dimrin", thotë Fabian Huneke, ekspert i firmës “Energy Brainpool”, një kompani e analizave të energjisë me qendër në Berlin.

Nëse gazsjellësi mbyllet, çmimet e energjisë në Gjermani ka shumë të ngjarë të rriten.

Një sipërmarrëse ukrainase me bazë në Berlin mendon se produkti i saj mund të ndihmojë.

Karolina Attspodina themeloi kompaninë “WeDoSolar” vitin e kaluar – përpara se të fillonte sulmi rus në Ukrainë. Kompania prodhon panele diellore që veprojnë si një mburojë privatësie në ballkon, por gjithashtu prodhojnë energji.

"Në ballkone ka shumë panele që pothuajse nuk shfrytëzohen. Përmes paneleve diellore ne mund të prodhojmë më shumë energji nga ballkonet. Energji të vlefshme për mjedisin", thotë zonja Attspodina.

Karolina Attspodina filloi të prodhojë panelet në fillim të këtij viti dhe thotë se të gjitha janë shitur.

Kompleti i plotë për ballkon kushton 1299 euro dhe lidhen direkt në rrjetin elektrik të banesës.


Zonja Attspodina thotë panelet ulin me rreth 25 për qind faturën e energjisë elektrike.

Pasi filloi sulmi rus në Ukrainë, ajo thotë se kompania e saj mori një rol të ri.

Që kur filloi lufta në Ukrainë, ka qenë një mision shumë i madh për mua që të ulë varësinë nga gazi dhe nafta ruse. Jo vetëm në Gjermani, por në përgjithësi në të gjitha vendet. Thjesht dua pavarësi, pavarësi energjetike për njerëzit dhe të sigurohemi që të mos financojmë luftëra".

Në Gjermani, rreth 21 për qind e energjisë vjen nga gazi.


Qeveria ka vendosur tashmë të vërë përsëri në punë disa centrale me qymyr për të ulur përdorimin e gazit.


Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, Gjermania ka pasur njëfarë suksesi në uljen e varësisë nga energjia ruse.


Por është një proces i ngadaltë, thotë analisti Huneke, që ka të ngjarë të marrë vite.

Nuk është aq e lehtë pasi çdo gjë varet nga infrastruktura, tubacionet e gazit, terminalet e gazit të lëngshëm, sasitë që mund të prodhohen në vendet nga vjen. Këto janë të gjitha procese të ngadalta dhe kërkon kohë për të ndërtuar këtë infrastrukturë. Thjesht nuk mund ta ndryshosh shumë shpejt".

Qeveria gjermane ka vendosur tashmë të kthejë në punë disa centrale me qymyr për të ulur përdorimin e gazit.

XS
SM
MD
LG