Lidhje

Komisioni hetimor për 6 janarin përmbyll fazën e parë të dëgjesave publike


Komisioni i 6 janarit do të përmbyllë sot raundin e parë të dëgjesave publike me një analizë minutë pas minute të veprimeve të ish-Presidentit Donald Trump gjatë kohës që po sulmohej Kapitoli. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, i hedh një vështrim hapave të mëtejshëm që do të ndërmarrë komisioni hetimor.

Komisioni hetimor për 6 janarin përmbyll fazën e parë të dëgjesave publike
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:12 0:00

Asnjë president amerikan në detyrë, apo ish-president, nuk është akuzuar ndonjëherë për vepra penale... Por, për herë të parë në historinë amerikane, ligjvënësit po mbajnë dëgjesa publike që mund të rezultojnë me rekomandimin që ish-Presidenti Donald Trump të mbajë përgjegjësi ligjore për përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

“Donald Trump mblodhi një turmë në Uashington DC dhe e nxiti të bënte një sulm të dhunshëm ndaj demokracisë sonë”, tha kryetari i komisionit hetimor, ligjvënësi demokrat Bennie Thompson.

Komisioni i 6 janarit, i përbërë nga shtatë demokratë dhe dy republikanë, nuk ka autoritetin për të zhvilluar një proces gjyqësor ndaj ish-Presidentit Donald Trump për vepra penale në lidhje me sulmin ndaj Kapitolit. Por, komisioni po paraqet të dhëna që mund të përdoren nga Departamenti i Drejtësisë për të ngritur akuza ndaj tij.

“Ndërsa po shpaloset pamja e plotë përpara komisionit të 6 janarit, është bërë e qartë se përpjekjet që Donald Trump mbikqyri dhe me të cilat u angazhua, ishin edhe më rrënqethëse dhe kërcënuese se sa mund ta kishim imagjinuar”, tha Ligjvënësja republikane Liz Cheney.

Në një dokument prej 12 faqesh ku përsërit shumë nga pretendimet e tij për manipulime zgjedhore, ish-Presidenti Trump kritikoi faktin që seancat dëgjimore nuk kanë lejuar paraqitjen e evidencës shfajësuese apo marrjen në pyetje të dëshmitarëve edhe nga pala tjetër. Megjithatë, shumë ekspertë thonë se komisioni po ndërton një dosje të pasur ku sugjerohet se ish-Presidenti Trump është personalisht përgjegjës për vepra të shumta penale.

“Konspiracioni për të penguar një proces zyrtar është me siguri një nga gjërat për të cilat mund të akuzohet. Ndoshta edhe konspiracioni për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, që ka të bëjë me gjithë deklaratat krejtësisht të pabaza për manipulim zgjedhor. Trump-i nuk pati asnjë lloj prove dhe e dinte që nuk kishte, ashtu siç u bë e qartë edhe gjatë këtyre seancave dëgjimore. Nxitja e trazirave do të ishte një tjetër akuzë, nëse mund të lidhin veprimet e Trump-it me trazirat në një mënyrë direkte – kjo është pak më e vështirë për t’u provuar”, thotë Paul Schiff Berman, nga fakulteti juridik i Universitetit “George Washington”.

Disa ekspertë ligjorë kanë vënë në dukje se çdo përpjekje për të ngritur akuza ndaj ish-Presidentit Trump do të varet nga fakti nëse ai i besonte pretendimet e tij për manipulim, diçka e vështirë për t’u provuar.

Ligjvënësit thonë se një mesazh në Twitter nga ish-Presidenti Trump më 19 dhjetor 2020, ishte një thirrje për grupet ekstremiste që të sulmonin Kapitolin. Ky veprim mund të sjellë akuza për konspiracion rebelimi.

Mendoj se nga sa kemi parë nga dokumentat e Departamentit të Drejtësisë, ku pasqyrohen mesazhet mes grupeve Oathkeepers dhe Proud Boys, duket se ai mesazh në Twitter e qartësoi datën 6 janar si shansin e fundit për këto grupe që të angazhoheshin në atë që mendonin se ishte momenti i tyre në histori, shansi i tyre për të ndalur atë që mendonin se ishin zgjedhje të vjedhura”, thotë Jon Lewis, nga Programi për Ekstremizmin në Universitetin “George Washington”.

Komisioni i 6 janarit pritet të vazhdojë seanca deri në vjeshtë dhe të publikojë konkluzionet e tij pas zgjedhjeve të mesmandatit që mbahen në nëntor. Kjo mund ta vonojë lëvizjen historikisht të pashembullt të Departamentit të Drejtësisë, për të ngritur akuza ndaj një ish-presidenti dhe një rivali politik të presidentit aktual.

“Do të thotë që gjendesh gjithnjë në një gjendje kaosi politik dhe me mundësinë e një lloji lufte civile. Dhe kjo nuk është mënyra se si ka vepruar sistemi ligjor i Shteteve të Bashkuara për 200 vite. Por, Trump-i është një president sui generis; nuk ka patur ndonjëherë një lloj presidence të këtillë. Dhe nuk ka patur diçka të ngjashme me sulmin ndaj Kongresit dhe përpjekjen për të përmbysur zgjedhjet legjitime, të paktën që nga periudha e Luftës Civile. Pra, gjendemi vërtet në territor të pashkelur”, thotë zoti Berman.

Një anketim i bërë në qershor nga Qendra Kërkimore për Çështjet Publike (NORC) e agjencisë së lajmeve Associated Press konstatoi se gjysma e amerikanëve në moshë madhore thonë se ish-Presidenti Trump duhet të akuzohet penalisht për rolin e tij gjatë sulmit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG