Kryeministri italian Mario Draghi dha dorëheqjen të enjten pasi aleatët kryesorë të koalicionit bojkotuan një mocion votëbesimi, duke hapur mundësinë për zgjedhje të parakohshme në një periudhë të re pasigurie për Italinë dhe Evropën.
Kryeministri Draghi i paraqiti dorëheqjen presidentit Sergio Mattarella gjatë një takimi të mëngjesit në Pallatin Quirinale. Presidenti Mattarella, i cili refuzoi një ofertë të ngjashme dorëheqjeje javën e kaluar, "e mori parasysh" këtë herë dhe i kërkoi qeverisë së zoti Draghi të qëndronte në detyre, tha zyra e presidentit.
Qeveria e unitetit kombëtar e zotit Draghi u rrënua të mërkurën pasi anëtarët e koalicionit të tij të përbërë nga të djathtë, të majtë dhe populistë, kundërshtuan thirrjet e tij për t'u bashkuar dhe për të përfunduar mandatin e plotë të legjislaturës si dhe për të siguruar zbatimin e programit të financuar nga Bashkimi Evropian për rimëkëmbjen pas pandemisë.
Në vend të kësaj, partitë e qendrës së djathtë të Liga dhe Forza Italia si dhe Lëvizja populiste 5 Yjet bojkotuan një votëbesim në Senat, në një shenjë të qartë se i kishin dhënë fund bashkëpunimit me qeverinë 17 mujore të zotit Draghi.
"Faleminderit për gjithë punën e bërë së bashku në këtë periudhë", tha zoti Draghi në Dhomën e Ulët të Deputetëve, përpara se të shkonte për të takuar presidentin Mattarella. I prekur qartë nga duartrokitjet, ai përsëriti një shaka se edhe 'shefat e bankave qendrore kanë zemër'.
Gazetat italiane të enjten ishin të bashkuara në shprehjen e zemërimit ndaj zhvillimeve, duke pasur parasysh se Italia po përballet me inflacionin në rritje dhe kostot e energjisë, luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe reformat e jashtëzakonshme të nevojshme për të siguruar pjesën e mbetur të 200 miliardë eurove të BE-së në fondet e rimëkëmbjes.
"Turp", shkruhej në faqen e parë të gazetës La Stampa. “Italia e tradhtuar”, shkroi La Repubblica. “Lamtumirë Qeverisë së Draghit” - në Corriere della Sera.
Ndërsa hapat e ardhshëm janë të paqartë, zhvillimet lënë të kuptohet se presidenti Mattarella mund të shpërndajë parlamentin pas një periudhe këshillimesh duke hapur rrugën për një palë zgjedhje të parakohshme në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. Mandati pesëvjeçar i legjislaturës aktuale do të përfundonte në vitin 2023.
Presidenti Mattarella do të takohet me presidentët e të dhomave të parlamentit më vonë të enjten, tha zyra e tij. Këshillimet e tilla zakonisht i paraprijnë një deklarate publike nga presidenti Mattarella për qëllimet e tij.