Pjesë të Evropës, përfshirë Britaninë dhe Francën, po përjetojnë një valë rekord të nxehti. Britania është nën një valë të nxehti që ka shënuar temperatura mbi 40 gradë Celsius duke shkaktuar paralajmërime se përpjekjet për të trajtuar ndryshimet klimatike duhen përshpejtuar.
Zjarrfikësit punuan gjatë natës për të shuar zjarret ndërsa inxhinierët nxituan të mërkurën (20 korrik) për të rregulluar shinat e trenit që ishin përkulur në ditën më të nxehtë të Britanisë.
Brigada e Zjarrfikësve të Londrës pati ditën e saj më të ngarkuar që nga Lufta e Dytë Botërore të martën (19 korrik) kur temperaturat arritën 40 gradë Celsius për herë të parë, duke shkaktuar zjarre që shkatërruan dhjetëra prona në kryeqytet.
"Nuk kemi asgjë, gjithçka është zhdukur", tha për BBC Timothy Stock, një banor që humbi shtëpinë e tij nga zjarri në fshatin Wennington, në lindje të Londrës.
Pamjet ajrore të fshatit të mërkurën treguan zjarrfikësit duke hedhur ujë mbi shtëpitë që digjen dhe duke vlerësuar dëmet.
Pas një jave zjarresh të furishme në jugperëndim të Francës, disa vatra në Gironde janë ngadalësuar dhe janë vënë nën kontroll gjatë natës, megjithëse zjarrfikësit vazhdojnë të shuajnë flakët dhe zona mbetet në rrezik për shkak të nxehtësisë ekstreme dhe thatësirës së vazhdueshme.
Në Paris, njerëzit u rreshtuan në një shatërvan publik dhe përpiqeshin të freskoheshin në çdo mënyrë të mundshme, me shpresat për më pak nxehtësi të tepërt në ditët në vijim.
“Më pëlqen kur është vapë. Pra, për mua është mirë, por këto ditë është padyshim shumë nxehtë. Po pres me padurim pak shi. Ose të paktën të bëhet pak vapë, por më mirë ngrohtë se ftohtë”, thotë Theresa Buchberger, turiste 37 vjeçare nga Mynihu.
Për shkak të të nxehtit, zjarret po kërcënojnë qytetet e mëdha, duke përfshirë Athinën në Greqi, ku qindra banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre vonë të martën pasi një zjarr kërcënoi periferitë malore në verilindje të Athinës.
Zyrtarët thanë se zjarrëfikësit po luftojnë me flakët e nxitura nga erërat e forta nga ajri dhe nga toka.
Në Spanjë, zjarrfikësit luftuan me flakët në provincën veriperëndimore Zamora, ndërsa temperaturat përvëluese vazhduan të nxisin zjarre.
“Është një zjarr shumë i zgjeruar me degëzime të shumtë. Era e bëri atë të zhvillohet në drejtime të ndryshme dhe është një perimetër i gjatë për t'u vëzhguar. Janë katër pika, sidomos në anën perëndimore, të cilat na shqetësojnë më shumë. Është një kohë kritike për shkak të erërave që priten të vijnë – këto janë momente shumë të tensionuara”, thotë Victor Fernandez, zëdhënës i brigadës së zjarrëfikësave.
Zamora ka regjistruar dy vdekje nga zjarret në dy ditët e fundit. Të dy viktimat ishin të moshës 69-vjeçare. Associated Press tha se më shumë se 750 vdekje të lidhura me nxehtësinë janë regjistruar në Spanjë dhe Portugali.
Ekspertët e klimës besojnë se temperaturat e larta janë paralajmërime për përparimin më të shpejtë të ndryshimeve klimatike, diçka që ata thonë se do të rrezikojë jetën e qytetarëve evropianë për 30 vitet e ardhshme.