Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve miraton projektligjin që mbron martesat homoseksuale


Dhoma e Përfaqësuesve miratoi me shumicë dërrmuese një projektligj që mbron martesat brenda së njëjtit seks dhe ato ndërracore. Votimi i së martës është një kundërvënie e drejtpërdrejtë ndaj Gjykatës së Lartë, e cila me vendimin për t'i dhënë fund mbrotjes kushtetuese që gëzonte aborti, sinjalizoi se të tjera të drejta që gëzojnë amerikanët, mund të jenë në rrezik.

I ashtuquajturi Akti i Respektimit të Martesës, kaloi me lehtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, por ai ka të ngjarë të bllokohet në Senat, për shkak të kundërshtimit nga pjesa dërrmuese e republikanëve.

Gjithsej 47 republikanë iu bashkuan demokratëve duke votuar pro ligjit në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Kjo është një çështje personale për mua", tha ligjvënësi demokrat Mondaire Jones, i cili është një ndër ligjvënësit që e ka pranuar hapur së është homoseksual.

"Imagjinoni t'i thoni gjeneratës së ardhshme të amerikanëve, brezit tim, se nuk keni më të drejtë të martoheni. Kongresi nuk mund të lejojë që kjo të ndodhë", tha ai.

Ky është një nga disa projektligje, mes tyre ai që garanton qasje tek procedurat e abortit, që demokratët kanë propozuar për t'iu kundërvënë vendimeve të shumicën konservatore të Gjykatës së Lartë. Një tjetër projektligj, ai që garanton qasjen tek shërbimet kontraceptive, pritet të hidhet në votim këtë javë.

Administrata Biden lëshoi një deklaratë në mbështetje të projektligjit mbi martesat.

Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve janë në favor të ruajtjes të së drejtës së një personi për t'u martuar me kë dëshiron, pavarësisht nga gjinia, raca apo përkatësia etnike.

XS
SM
MD
LG