Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, u ulen sot në të njëjtën tryezë me vendet anëtare, në Konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar kështu nisjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim, pas një kalvari të gjatë priteje, zvarritjesh dhe pengesash.
Kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Dimitar Koveçevski u pritën nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe kryeministri i Republikës së Çekisë Petr Fiala, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së.
“Ky është një moment historik”, deklaroi presidentja Von der Leyen, ndërsa vuri në dukje përpjekjet e të dy vendeve në rrugëtimin e tyre të integrimit. “Ky është suksesi juaj, i juaji si qeveri, i qytetarëve tuaj, i popullit tuaj që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht shumë përkushtim për vlerat tona”, nënvizoi zyrtarja e lartë evropiane, duke vënë në dukje se perspktiva të reja hapen për të dy vendet. “Do të ketë rritje të investimeve, do të ketë bashkëpunime të ndryshme në fusha kyçe si energjia dhe transporti. Ju do të maksimizoni impaktin e fondeve të BE-së që do të thotë punësime të reja, mundësi të reja e pikërisht për këtë kanë pritur kaq gjatë qytetarët tuaj dhe këtë meritojnë”, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian.
Në fjalën e tij të shkurtër kryeministri Edi Rama falenderoi nga njëra anë drejtuesit europianë, dhe presidencën franceze që bëri të mundur zhbllokimin e ngërçit mes Sofjes dhe Shkupit, por dhe popullin shqiptar “i cili kurrë nuk u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti së ëndërruari ndjekjen e udhëtimit europian dhe falë të cilit ne qëndruam në këmbë, pas 3 vitesh kaq shumë të ndërlikuar ku refuzimet prej Këshillit Evropian nga njëra anë dhe tërmeti, pandemia, lufta nga ana tjetër, krijuan një situatë vërtet të vështirë, por na forcon më shumë seç ishim”
Zoti Rama vuri në dukje se një rrugë e gjatë është përpara vendit të tij, kur tha se “ne e dimë që ky nuk është fillimi i fundit, por është fundi i fillimit por situata është kjo që është dhe është mirë kështu siç është dhe ne thjesht na duhet të ngremë dhe ndërtojmë një Shqipëri europiane dhe të fortë dhe një Ballkan të Hapur perëndimor, të fortë dhe demokratik”.
Për kryeministrin maqedonas Kovaçevski, vendi i të cilit nis procesin e bisedimeve pas 17 vitesh pritjeje, për shkak të mosmarrëveshjeve fillimisht me Greqinë e së fundmi me Bullgarinë “sot po fillojmë përfundimisht negociatat, po hapim një perspektivë të re për vendin tonë dhe për qytetarët tanë dhe në mënyrë të sigurt, do i bashkohemi familjes së madhe europiane. Kjo ka qenë qëllimi ynë strategjik prej vitesh”.
Kryeministri Kovaçevski u shpreh veçanërisht i kënaqur që propozimit francez i cili mori miratimin e parlamentit të vendit të tij, pavarësisht kundërshtimeve të forta të opozitës, “përkufizon gjuhën maqedonase pa shtesa, shpjegime, shënime në fund të fletës, diçka që ka qenë e një rëndësie të madhe për ne. Dyert e hapura për gjuhën tonë maqedonase, për t’u bërë një nga gjuhët zyrtare të BE-së, është diçka që unë personalisht e shikoj si një nga arritjet më të mëdha dhe sukseset më të mëdha”, u shpreh ai.
Siç shpjegoi presidentja e Komisionit Evropian, hapi i parë në procesin e bisedimeve pas konferencës ndërqeveritare do të pasohet nga puna mes Komisionit dhe ekipeve negociuese për “shqyrtimin e akteve europiane që do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të dinë detyrimet mbi traktatet, mbi të gjitha marrëveshjet europiane e ne do të vijojmë shumë shpejt me të”, deklaroi ajo përpara se të nisnin konferencat ndërqeveritare me të dy vendet ballkanike.
Konferenca e parë BE - Shqiperi
“Bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nisën”. Me këtë fjali ministri i Jashtëm çek Jan Lipavský, vendi i të cilit mban presidencën e radhës, mbylli sot punimet e konferencës së parë ndërqeveritare, mes përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe Shqipërisë, një akt që shënon hapjen e një kapitulli të ri, shumë më të ngushtë, mes Tiranës dhe Brukselit.
Të gjithë udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian e përshëndetën me entuziazëm këtë moment, të cilin e konsideruan historik jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për vetë marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin perëndimor. “Duke nisur procesin e bisedimeve, Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian , dhe me këtë, Bashkimi Evropian po ndërmerr një hap vendimtar drejt plotësimit të tij. Ballkani Perëndimor është i një rëndësie strategjike kyçe për BE-në, dhe ky është një moment në të cilin kjo rëndësi po dëshmohet. Rëndësi për Shqipërinë, për të gjithë rajonin dhe për Bashkimin Evropoian në tërësinë e vet”, deklaroi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, për Politikën e Jashtme dhe sigurinë Josep Borrell.
Shqipëria mori nga Komisioni Evropian rekomandimin për hapjen e bisedimeve në vitin 2018 ndërsa nga Këshilli Evropian në mars të viti 2020, por vetëm sot ato nisën zyrtarisht pas një periudhe pengesash e zvarritjesh të cilat kryeministri Edi Rama i krahasoi në fjalën e tij në Konferencën ndërqeveritare me mitin e Sizifit. “BE-ja ka qene gjithmonë e me tepër për shqiptarët më shumë sesa raporte standarde, afate apo shkresa. Të gjithë ato gurë që rrotullohen do të kishin humbur lehtësisht poshtë kodrës nën presionin e këtyre viteve jashtëzakonisht të vështirë. Kërkimi ynë për Europën duhet të ishte kthyer në një punë jo frymëzuese. Nëse kjo nuk ndodhi është sepse integrimi plotë në Europë është për Shqipërinë dhe kombin shqiptar një çështje për jetë a vdekje”, u shpreh zoti Rama.
Ulja në tryezë për bisedimet konkrete kalon përmes procedurave të tjera. Në shtator pritet që Shqipërisë t’i kërkohet të japë shpjegime se ku ajo qëndron në raport me çështjet që përmban grup-kapitulli i parë që lidhet me shtetin e së drejtës. Me metodologjinë e re, bisedimet nuk zhvillohen më mbi bazë kapitujsh të veçantë, për mbi 6 grup-kapitujsh, ku pa u hapur ai për Sundimin e ligjit dhe Drejtësinë, nuk mund të hapet asnjë tjetër. Pas shpjegimit nga ana e Shqipërisë, Komisioni Evropian paraqet një raport vlerësues se ku është vendi me secilin kapitull të grupit të parë, dhe mbi bazën e tij i paraqet vendeve anëtare se çfarë duhet plotësuar. Në këtë rast vendimmarrja është konsensuale, dhe çdo vend anëtar mund të bëjë shtesa përtej raportit të Komisionit. Topi më pas i kalon sërish Shqipërisë, e cila duhet të hartojë planveprimin për uljen në bisedime dhe vetëm kur konsiderohet se janë përmbushur standartet për hapjen e bisedimeve, propozohet nisja e tyre për grup-kapitullin e parë.
“Shqipëria duhet të përqasë dhe zbatojë të gjithë reformat në fushat themelore të sundimit të ligjit, vecanërisht reforma në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat themelore të njeriut, fuqzimin e institucioneve demokratike, reformën në administratë publike si dhe kriteret ekonomike”, shpjegoi ministri i Jashtëm çek Jan Lipavksy.
Bëhet fjalë për një proces i cili do të jetë një test i fortë për Shqipërinë. Përtej vullnetit dhe angazhimit politik, ajo duhet të dëshmojë se ka dhe aftësitë teknike për të ecur përpara. Në këtë kuptim, kohëzgjatja deri në uljen në tryezën e bisedimeve konkrete për grup kapitujt e parë, është thuajse tërësisht në dorë të saj.
Presidenti Ilir Meta, përshëndeti aktin e sotëm duke folur për një ditë të shkëlqyer për Shqipërinë, ndonëse të vonuar, tha ai. “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces që ia vlen çdo përpjekje dhe sakrificë, sepse është e vetmja rrugë që garanton që shtëpia jonë e përbashkët të ketë atë paqe, siguri dhe begati që për fat të keq ende bashkëqytetarët tanë po e kërkojnë në Gjermani, Francë, Itali, Britani dhe vende të tjera. U bëj gjithashtu thirrje të gjitha institucioneve pa përjashtim, që të reflektojnë pa vonesë ndaj detyrave urgjente që kërkon ky proces. Është në dorën tonë dhe vetëm në dorën tonë që deri në anëtarësimin e plotë të kalojnë 5 apo 30 vite të tjera”, deklaroi presidenti Meta.
Akti i sotëm në Bruksel u përshëndet dhe nga ish kryeministri Sali Berisha i cili drejton forcën kryesore të opozitës. Ai e cilësoi një vendim fisnik të Bashkimit Evropian, dhe fajësoi kreun e Qeverisë si shkaktarin e refuzimit sipas tij të përsëritur për hapjen e bisedimeve dhe të mosplotësimit të kushteve.
Kovaçevski: Ditë historike për Maqedoninë e Veriut
Autoritetet qeveritare maqedonase e vlerësojnë ditën e sotme si historike. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në Konferrencën ndërqeveritare në Bruksel u shpreh se ëndrra tredekadëshe e vendit po realizohet dhe se sot po shkruhet një kapitull i ri në historinë maqedonase. Ai shprehu mirënjohje në radhë të parë për të gjitha komunitetet etnike të Maqedonisë së Veriut për vizionin e qartë, siç tha, se çfarë shteti duan të ndërtojnë dhe t’u lënë brezave të ardhshëm.
"Për të arritur këtu, morëm vendime të vështira të cilët kërkonin guxim, mençuri dhe përgjegjësi. E morëm vendimin përfundimtar, me të cilin siguruam ruajtjen dhe përforcimin e identitetit maqedonas, të gjuhës maqedonase, kulturës dhe veçorisë të saj, shtoi kryeminisrti maqedonas", tha ai.
Ai tha se BE-ja i njeh dhe pranon si maqedonas që flasin maqedonisht me respektin pa kusht të dinjitetit dhe veçorive të popullit maqedonas dhe veçorive identitare, historike dhe kulturore. Kjo tha ai, është siguruar përgjithmonë dhe se për këto gjëra nuk negociohet as nuk nuk do të bisedohet. Zoti Kovaçevski tha se sot është fillimi i fazës së fundit të rrugës së gjatë drejt anëtarësimit të plotë, të merituar në BE.
Ndërkohë, Shefi i Komisionit Evropian për Politkën e jashtme, Josep Borrell shprehu mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian për integrimin e Maqedonisë së Veriut në bllok.
Ai tha se BE-ja do ta ndihmonte këtë vend në rast të ndikimeve nga shtete të treta, duke ndërtuar qëndrueshmërinë dhe duke dhënë ndihmë për t’u përballur me pasojat e agresionit rus ndaj Ukrainës. Këto ndihma do të jenë të dukshme në aspektin e ushqimit dhe sigurisë së energjisë, sipas zotit Borrell.