Lidhje

Të shtënat me armë zjarri dhe paniku shënuan fundjavën në SHBA


Agjentët qëndrojnë jashtë pas sulmit vdekjeprurës me armë në Qendrën Tregtare Greenwod Park, Indiana (17 korrik 2022)
Agjentët qëndrojnë jashtë pas sulmit vdekjeprurës me armë në Qendrën Tregtare Greenwod Park, Indiana (17 korrik 2022)

Një burrë i armatosur qëlloi ndaj klientëve në zonën e restoranteve të një qendre tregtare në Indiana. Gjatë një përplasjeje me armë në Hjuston u vranë katër persona.

Një shfaqje nga komediani Craig Robinson në Karolinën e Veriut as nuk filloi dot, pasi spektatorët u shpërndanë për t’iu larguar një personi të armatosur.

Në Las Vegas, mundësia e të shtënave në kazinonë MGM Grand e zhyti turmën në një kaos që filloi për shkak të thyerjes së një dere xhami.

Ndërsa klientët largoheshin drejt daljeve dhe disa ishin fshehur pas tavolinave të përmbysura të bixhozit, lojëtari profesionist i pokerit Daniel Negreanu u përfshi nga refleksioni i dhimbshëm i një Amerike të mbërthyer nga dhuna me armë.

“Në sipërfaqe, të tjerë do ta shihnin dhe do të mendonin se ishte një reagim i tepruar”, tha zoti Negreanu. “Por është e justifikueshme... pasi jetojmë tashmë në një gjendje frike”.

Në Las Vegas ishte një alarm fals, por dhuna gjatë fundjavës la mbi 12 persona të vrarë apo të plagosur, ndër ta një 12-vjeçar, dy 16-vjeçarë dhe një 18-vjeçar.

Frika nga sulmuesit e armatosur u ka krijuar njerëzve më shumë ankth dhe këto sulme me armë, apo paniku nga frika e tyre, ishin vetëm goditjet më të fundit për Amerikën gjatë vitit 2022, pasi gjatë muajve të fundit u shndërruan në skena krimi një shkollë, një kishë, një dyqan ushqimesh dhe një paradë për 4 Korrikun në Highland Park, Illinoi.

Krahas kësaj, autoritetet publikuan një raport kritik ndaj të gjitha strukturave të zbatimit të ligjit, përfshirë për mosveprimin e qindra oficerëve federalë, të shtetit dhe atyre vendorë, për një reagim kaotik dhe të mekët më 24 maj ndaj një sulmuesi të armatosur që vrau 19 nxënës dhe dy mësues brenda shkollës fillore në Uvalde të Teksasit.

Le t’i themi hedhim tashmë një vështrim atyre që ndodhën gjatë kësaj fundjave.

GREENWOOD, INDIANA

Tre persona vdiqën dhe dy u plagosën pasi një burrë filloi të qëllonte me pushkë në qendrën tregtare Greenwood Park të dielën në mbrëmje. Një civil i armatosur e qëlloi dhe e vrau, tha policia.

Sulmuesi filloi të qëllonte pasi doli nga një banjë në qendrën tregtare periferike të Indianapolis pak para orarit të mbylljes, tha të hënën shefi i policisë së Greenwood-it, James Ison.

Dëshmitarët përshkruan se si klientët e qendrës tregtare ikën në panik.

Ndër të vrarët ishin një çift i martuar - Pedro Pineda, 56 vjeç dhe Rosa Mirian Rivera de Pineda, 37 vjeçe - dhe Victor Gomez, 30, sipas mjekut ligjor.

Një 22-vjeçar, i cili mbante në mënyrë të ligjshme një armë zjarri, vrau personin e armatosur, duke e ndaluar sulmuesin "pothuajse sapo ai filloi", tha shefi i policisë Ison.

“Shumë njerëz do të kishin vdekur mbrëmë nëse nuk do të ishte një qytetar i përgjegjshëm i armatosur”, tha zoti Ison.

Edhe sulmuesi 20-vjeçar humbi jetën. Policia nuk është ende në dijeni të motivit të sulmit.

Zoti Ison tha se sulmuesi përdori një pushkë të llojit AR-15 gjatë të shtënave, dhe qëlloi 24 fishekë brenda dy minutave. Hetuesit gjetën në banjë një tjetër pushkë dhe karikatorë me më shumë se 100 fishekë. Ata gjetën edhe një pistoletë në trupin e sulmuesit.

HJUSTON

Katër persona vdiqën pas një përplasjeje me armë në një kompleks apartamentesh në Hjuston të shtunën vonë.

Zyra e sherifit të qarkut Harris tha se dëshmitarët raportuan se kishin parë disa njerëz, përfshirë viktimat, duke shtënë ndaj njëri-tjetrit pasi filluan të debatonin.

Sherifi Ed Gonzalez tha se mes të vrarëve ishin dy 16-vjeçarë, një 19-vjeçar dhe një 25-vjeçar.

Zyra e sherifit nuk i identifikoi viktimat, motivin e tyre apo ndonjë autor të dyshuar.

PARKU “EAST GLACER”, MONTANA

Dy burra dhe një foshnje 18-muajshe vdiqën pasi u qëlluan në Rezervatin Indian Blackfeet, një komunitet prej 17 mijë personash pranë Parkut Kombëtar Glacier.

Dy gra u plagosën; të paktën njëra prej tyre u plagos me armë.

Autoritetet thanë se nuk kishte rreziqe të tjera të menjëhershme për publikun dhe nuk pranuan të jepnin më shumë informacion.

CHARLOTTE, KAROLINA E VERIUT

Sipas policisë dhe dëshmitarëve, klientët që prisnin fillimin e shfaqjes në Zonën e Komedisë u larguan me vrap të shtunën mbrëma kur një burrë nxorri armën, u tha të gjithëve të largoheshin dhe më pas qëlloi në sallën e zbrazët.

Askush nuk u lëndua. Burri, i identifikuar nga policia si Omar McCombs, e nxorri armën përpara se aktori dhe komediani Craig Robinson të dilte në skenë.

Rreth 50 klientë kishin qenë brenda në atë moment.

McCombs, 36 vjeç, u mor në paraburgim dhe përballet me disa akuza, përfshirë për sulmin. Policia nuk bëri të ditur një motiv.

LAS VEGAS

Njerëzit vrapuan në panik dhe përmbysën tavolinat e pokerit për shkak të përshtypjes së gabuar se të shtënat kishin filluar në hotelin kazino MGM Grand të shtunën vonë në mbrëmje.

Policia nuk gjeti prova për të shtëna me armë; vetëm një derë xhami të thyer në zonën e punonjësve.

Filmimet e postuara në mediat sociale tregonin njerëzit që stërmundoheshin, përfshirë një video që tregonte oficerët që afroheshin me armë në dorë, ndërsa disa njerëz nxitonin në drejtim të kundërt.

Zoti Negreanu tha se kyçi i dorës i ishte i gjakosur dhe plagosur në rrëmujën e njerëzve që po iknin.

TULSA

Një 18-vjeçare u vra pas një sherri që përfundoi në të shtëna me armë zjarri herët në mëngjesin e së dielës në një pikë takimi në qendër të qytetit, të quajtur Qendra e Universit, tha policia.

Policia tha se ajo ishte pasagjere në një automjet kur shpërtheu një sherr mes dy grupesh. Sipas policisë, filluan të shtënat që goditën gruan dhe një ndërtesë, të cilës iu thyen dyert me xham.

Policia mori një telefonatë për të shtëna me armë zjarri dhe fëmijë që “vraponin kudo” në vendin e takimit, një rreth betoni i njohur për karateristikat e tij akustike.

UVALDE, TEXAS

Të dielën u publikua një raport i shumëpritur që nxori më tej në pah reagimin kaotik ndaj të shtënave masive të 24 majit në Shkollën Fillore “Robb” në Uvalde.

Gjetjet e një komisioni hetimor kritikuan si organet shtetërore ashtu edhe ato federale të zbatimit të ligjit, dhe jo vetëm autoritetet lokale, për mosveprimin tronditës të oficerëve të armatosur rëndë që qëndronin jashtë, ndërsa një person i armatosur qëllonte me plumba brenda klasave të katërta aty pranë.

Gati 400 zyrtarë të organeve të zbatimit të ligjit nxituan drejt shkollës, por "vendimmarrja jashtëzakonisht e dobët" rezultoi në më shumë se një orë kaos përpara se personi i armatosur më në fund të përballej me dikë dhe të vritej, sipas raportit të shkruar nga komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit.

XS
SM
MD
LG