Lidhje

Reagimi ndaj sulmit në Uvalde të Teksasit, dështim në të gjitha nivelet


Një raport me tone të ashpra kritike dhe videot që përmbanin orë të tëra pamjesh filmike nga kamerat e trupit të oficerëve të policisë nxorën edhe më shumë në pah situatën kaotike që shoqëroi reagimin ndaj sulmit në shkollën fillore në Uvalde të Teksasit. Në muajin maj, një person i armatosur vrau me armë zjarri 21 persona, prej të cilëve, 19 ishin nxënës. Raporti prej gati 80 faqesh i hartuar nga një grup ligjvënësish të shtetit të Teksasit ishte i pari që kritikoi jo vetëm autoritetet vendore të qytetit, por edhe organet e rendit në nivel shtetëror dhe federal.

Reagimi ndaj sulmit në Uvalde, dështim në të gjitha nivelet
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Rreth 400 oficerë shkuan në vendin e ngjarjes më 24 maj kur një person i armatosur kreu një sulm masiv me armë. Raporti prej 80 faqesh i një grupi hetimor të ligjvënësve shtetërorë të Teksasit zbuloi se megjithatë kishte një kaos që zgjati një orë derisa zbatuesit e ligjit reaguan për të ndaluar sulmuesin.

Përfaqëuesi i shtetit të Teksasit, Dustin Burrows e paraqiti raportin të dielën duke treguar një mori dështimesh në nivelin vendor, shtetëror dhe federal në rastin e sulmit që ndodhi më 24 maj.

“Atë ditë, disa oficerë në korridor ose në atë ndërtesë e dinin ose duhet ta dinin se njerëz po vdisnin në atë klasë dhe duhet të kishin bërë më shumë, të vepronin me urgjencë, të provonin dorezat e dyerve, të përpiqeshin të hynin nga dritaret, të përpiqeshin të shpërqendronin sulmuesin, të bënin diçka për të trajtuar situatën”, tha zoti Burrows.

Personi i armatosur qëlloi afërsisht 142 plumba brenda ndërtesës dhe është "pothuajse e sigurt" se të paktën 100 të shtëna u bënë përpara se ndonjë oficer të hynte te vendi ku ndodhi sulmi, sipas raportit, i cili parashtroi dështime të shumta. Midis tyre edhe atë se:

  • Reagimi ishte pa komandë, pavarësisht se shumë oficerë ishin në vendngjarje.
  • Oficerët e kishin gjetur derën e klasës ku sulmuesi ishte mbyllur dhe po kryente sulmin, në vend të kësaj oficerët me pushkë qëndruan në korridor për më shumë se një orë, ndërsa Komandanti i një ekipi taktik të Patrullës Kufitare priti një mburojë antiplumb dhe çelësin e derës së klasës, gjëra që raporti thotë mund të mos kishin qenë të nevojshme.
  • Një oficer policor vendor në Uvalde tha se kishte dëgjuar rreth thirrjeve telefonike që ishin bërë policisë nga brenda klasave ku kryhej sulmi ndërsa ai kishte kuptuar se oficerët në njërën anë të ndërtesës e dinin se kishte viktima të bllokuara brenda. Megjithatë, askush nuk u përpoq të depërtonte në klasë.

Në konferencën me gazetarë që kryebashkiaku i qytetit Uvalde, Don McLaughlin, mbajti të dielën, ai u përballë me disa banorë që i quajtën forcat e rendit frikacakë.

“Ata janë frikacakë…policët vraponin në drejtim të kundërt, ata vraponin duke ikur nga ndërtesa”, reagoi njëri nga banorët që ishte i pranishëm në konferencën e kryebashkiakut të Uvalde.

“Pra, ne pajtohemi me vlerësimin nga komiteti hetues që ka pasur një dështim të komandës. Megjithatë, ne duam të dimë se kush ishte përgjegjës për marrjen e komandës, pasi secila agjenci atje kishte komandantët e nivelit të lartë”, tha zoti McLaughlin duke konfirmuar nisjen e hetimit për këtë çështje.

Raporti i ligjvënësve të Teksasit u hartua pas intervistave që janë zhvilluar me dyer të mbyllyra me 40 persona, përfshirë dëshmitarë dhe përfaqësues të forcave të rendit që ishin në vendin e ngjarjes.

Zoti Dustin Burrows nga komisioni hetimor i Teksasit tha se nuk është detyra e tij të përcaktojë nëse oficerët duhet të mbahen përgjegjës duke thënë se kjo iu takon agjencive që kanë çuar përfaqësuesit e tyre në vendin e ngjarjes. Deri të dielën, oficeri Pete Arredonde, shefi i policisë së qarkut të shkollës Uvalde është i vetmi i pezulluar nga puna nga qindra oficerë që ishin në vendin e ngjarjes.

XS
SM
MD
LG