Lidhje

Hapet rruga e bisedimeve për Shqipërinë, Rama: Mori fund pengmarrja absurde


Vendimi i parlamentit maqedonas, sjell automatikisht zhbllokimin e nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim edhe me Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë duke u shprehur në një status në Facebook se “pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marë fund”. Zoti Rama vuri në dukje se fati i bisedimeve të vendit të tij kishte qenë “për tre vite të tëra tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare”, duke fajësuar njëkohësisht dhe faktorët politikë vendas, të cilët sipas tij “nuk i lanw dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman”.

Kryeministri bëri të ditur se delegacioni shqiptar do të niset që të hënën për në Bruksel, ku të nesërmen pritet organizimi i Konferencës së parë ndërqeveritare. Zoti Rama theksoi se “ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam”.

Për presidentin Ilir Meta, nisja e bisedimeve për anëtarësim “duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarës për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse”.

Ndërsa sipas ish kryeministrit Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike, nisja zyrtare e bisedimeve lidhet me “dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE-së”, nënvizoi zoti Berisha në një deklaratë.

XS
SM
MD
LG