Lidhje

Ivana Trump, gruaja e parë e ish-presidentit, vdes në moshën 73 vjeçare


Ivana Trump gjatë një aktiviteti mode në Nju Jork (7 shtator 2007)
Ivana Trump gjatë një aktiviteti mode në Nju Jork (7 shtator 2007)

NJU JORK – Ivana Trump, ish-skiatorja që në vazhdim u bë sipërmarrëse dhe përfaqësonte gjysmën e një çifti të fuqishëm në vitet 1980, gruaja e parë e ish-Presidentit Donald Trump dhe nëna e tre fëmijëve të tij më të rritur, ka vdekur në Nju Jork, njoftoi të enjten familja. Ajo ishte në moshën 73-vjeçare.

Ish-Presidenti Trump shkruajti në aplikacionin e medias sociale që ka themeluar se ajo vdiq në shtëpinë e saj në Nju Jork.

“Ajo ishte një grua e mrekullueshme, e bukur dhe mahnitëse, që pati një jetë të shkëlqyer dhe frymëzuese”, shkruajti ai në rrjetin social Truth Social. Çifti pati tre fëmijë, Donald Jr, Ivank-an dhe Eric-un.

“Ishte shumë krenare për ta, ashtu siç ishim të gjithë ne krenarë për të”, shkruajti ai. “Pusho në paqe, Ivana!”.

Dy persona në dijeni të çështjes i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se policia po heton nëse Ivana Trump ka rënë nga shkallët dhe se mendon se vdekja e saj ishte aksidentale.

Ajo u gjet pa ndjenja në shtëpi pranë shkallëve, thanë dy personat. Ata nuk munden të flasin publikisht për këtë çështje dhe folën me agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti. Zyra e mjekut ligjor do të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes.

"Ka qenë një ditë shumë e trishtuar, një ditë shumë e trishtuar", tha Eric Trump ndërsa po largohej nga shtëpia e nënës së tij në Manhattan.

Në një deklaratë, ai dhe fëmijët e tjerë e quajtën atë "një grua të pabesueshme - një forcë në biznes, një atlete e klasit botëror, një bukuri rrezatuese dhe një nënë dhe mike e kujdesshme", si dhe një e mbijetuar.

“Ajo iku nga komunizmi dhe përqafoi këtë vend”, vazhdoi deklarata e tyre. "Ajo u mësoi fëmijëve të saj për kurajon dhe ashpërsinë, dhembshurinë dhe vendosmërinë".

Ish-atlete e skive, me origjinë çeke, dhe ndonjëherë edhe modele, Ivana Trump u martua me presidentin e ardhshëm në vitin 1977.

XS
SM
MD
LG