Në Tiranë, Kuvendi rrëzoi të enjten në mbrëmje dekretin e Presidentit Meta për rishikimin e marrëveshjes mbi menaxhimin e Parkut të Butrintit.
Ndërsa Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit zhvilloi një protestë në hyrje të Kuvendit dhe njoftoi se do ta paditë marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese.
Shumica socialiste mbrojti deri në fund marrëveshjen e qeverisë me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit, megjithë protestat e ekspertëve dhe veprimtarëve, sipas të cilëve, marrëveshja ishte jotransparente dhe rrezikonte një pasuri të madhe kulturore si Butrinti.
Duke rrëzuar dekretin e presidentit Meta, që kërkoi rishikim, shumica socialiste miraton për herë të dytë marrëveshjen e qeverisë shqiptare me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit.
Ashtu siç ka ndodhur prej disa vitesh, socialistët rrëzojnë dekretet e presidentit, pa rishikuar asgjë nga sugjerimet e tij për të përmirësuar ligjet që kthehen nga presidenca.
Kështu ndodh sot edhe me marrëveshjen për Butrintit, ndonëse Presidenti theksoi se marrëveshja cënonte Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare.
Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit zhvilloi një protestë në hyrje të Kuvendit, duke kërkuar deputetëve të rrëzojnë marrëveshjen.
Përfaqësuesi i Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit, Aulon Kalaja, theksoi si organizator i protestës, se kjo marrëveshje do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, shumica po kryen deri në fund pa transparencë provën për të dhënë Parkun Kombëtar të Butrintit, sepse e sheh si një projekt pilot, pas të cilit do të japë me koncension edhe shumë zona dhe parqe të tjera historike.
Ashtu si Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit, edhe deputetët e opozitës kanë shprehur një mori dyshimesh se marrëveshja për menaxhimin e Butrintit do ta dëmtojë Parkun Kombëtar me planet për ta kthyer në burim biznesi dhe fitimesh.
Ata pohojnë se kjo trashëgimi kulturore historike kombëtare do të rrezikohet nga veprimet tregtare në park, dhe prej korrupsionit, që fshihet pas veprimet jotransparente dhe prej mungesës së konsultimeve publike.
Socialistët nga ana e tyre theksojnë se marrëveshja për menaxhimin e Butrintit do ta mbrojë më mirë Parkun Kombëtar falë investimeve për ruajtjen e tij.
Ata pohojnë se gjithçka është për të mirën e parkut dhe çdo fitim, që do të nxjerrë parku, do të riinvestohen po aty për konservimin e tij.
Marrëveshja 10 vjeçare midis Fondit për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit parashikon një investim 5 milionë dollarë përmes të cilit do të rritet siguria e vlerave arkeologjike si dhe cilësia e shërbimeve për vizitorët e Parkut.