Lidhje

Në Sri Lankë vazhdojnë protestat në pritje të dorëheqjes së udhëheqësve


Protestuesit në Sri Lankë
Protestuesit në Sri Lankë

Sri Lanka vazhdon të jetë mes tensionesh politike për të dytën ditë me radhë, ndërsa udhëheqësit e opozitës ende nuk kanë rënë dakord se kush duhet të zëvendësojë udhëheqësit e tanishëm. Rezidencat e udhëheqësive aktuale vazhdojnë të mbahen të pushtuara nga protestuesit e zemëruar nga problemet e thella ekonomike të vendit. Formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse është kërkesë urgjente për të vazhduar diskutimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të siguruar një program shpëtimi për ekonominë tanimë të falimentuar të Sri Lankës.

Protestuesit vazhduan të qëndrojnë në rezidencën e Presidentit Gotabaya Rajapaksa dhe atë të kryeministrit. Të dy objektet u pushtuan nga protestuesit të shtunën, duke kërkuar dorëheqjen e tyre. Protesta është kulmi i një krize tre mujore për shkak të mungesës akute të karburantve, ushqimit, ilaçeve dhe mallrave të tjera jetike.

Protestuesit, u zotuan se do të qëndrojnë aty derisa të zyrtarizohen dorëheqjet e udhëheqësve.

Në një deklaratë të bërë me video të hënën, e para që kur nisën protestat, kryeministri Ranil Wickremesinghe përsëriti se ai do të qëndrojë në pushtet derisa të krijohet një qeveri e re, ndërsa u ankua se rezidencat zyrtare u dogjën nga protestuesit.

"Protestuesit ma dogjën shtëpinë. Jo vetëm që e kanë pushtuar tërë rezidencën e Presidentit dhe atë të Kryeministrit, por ata kanë shkatërruar gjithë dokumentacionin që është gjetur aty. Unë jam këtu për të mbrojtur kushtetutën. Ajo që na duhet sot është një qeveri gjithëpartiake dhe unë do të punoj për ta arritur atë”, tha kryeministri aktual i Sri Lankës.

Kryeministri i Sri Lankës u ankua se mes shumë gjërave të djegura ishte edhe siç u shpreh ai: “thesari im më i madh, biblioteka ime me 2,500 libra”, në mesin e të cilave kishte dhe libra të shkruar gjatë periudhës koloniale portugeze dhe holandeze, nga shekujt 16 dhe 19.

Presidenti nuk është parë apo dëgjuar publikisht që nga e shtuna dhe vendndodhja e tij nuk dihet. Por, zyra e tij tha të dielën se ai po vazhdon të punojë si president i vendit. Zyra e kryeministrit dhe e kryetarit të parlamentit megjithatë kanë njoftuar se presidenti Rajapaksa do të japë dorëheqjen të mërkurën.

Udhëheqësit e partive opozitare janë në diskutime për të formuar një qeveri alternative uniteti, një kërkesë urgjente kjo nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të vazhduar diskutimet për të siguruar një program shpëtimi për ekonominë tanimë të falimentuar të Sri Lankas.

“Mandati popullor i presidentit, kryeministrit dhe qeverisë ka mbaruar, sepse ata u bashkuan dhe shkatërruan atdheun tonë të bukur. Ne në opozitë jemi gati për të udhëhequr, për të stabilizuar vendin, për të rindërtuar ekonominë e vendit. Nuk ka zgjidhje tjetër. Nëse dikush e kundërshton këtë apo e minon në parlament, ne mendojmë se është tradhtar”, u shpreh udhëheqësi kryesor i opozitës, Sajith Premadasa.

Zoti Premadasa është propozuar për president ndërsa një ish ministër për pozitën e kryeministrit.

Sri Lanka njoftoi në prill se po pezullonte pagesat e kredive të huaja për shkak të mungesës së valutës. Borxhi i përgjithshëm i saj i jashtëm arrin në 51 miliardë dollarë, nga të cilat, deri në fund të vitit 2027, duhet të shlyejë 28 miliardë dollarë.

Demonstratat disa mujore duket se i kanë dhënë fund dinastisë politike të presidentit Rajapaksa, e cila ka sunduar Sri Lankën për shumicën e 20 vjetëve të fundit.

XS
SM
MD
LG