Qindra aktivistë protestuan në kryeqytetin amerikan Uashington në mbështetje të së drejtës së abortit dhe për t’i kërkuar qeverisë federale që të veprojë menjëherë për ta siguruar këtë të drejtë të grave. Presidenti Joe Biden nënshkroi këtë javë një urdhër ekzekutiv për të lehtësuar qasjen e grave tek shërbimet që mundësojnë ndërprerjen e një shtatëzanie të padëshiruar.
Qindra aktivistë për të drejtën e abortit u mblodhën në Uashington për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës së Lartë që rrëzoi të drejtën e abortit të vendosur gjatë çështjes Roe kundër Wade dekada më parë. Protestuesit u bënë thirrje ligjvënësve që të veprojnë.
“Kërkojmë që qeveria federale të bëjë diçka që ta legalizojë abortin që tani. Nuk mjafton që të presim deri në nëntor”, thotë aktivistja Chantelle Piper, duke iu referuar zgjedhjeve për Kongresin, në të cilat demokratët shpresojnë të mobilizojnë votuesit me këtë çështje.
Protestuesit mbanin parulla dhe bënin thirrje ndërsa prisnin për mbajtjen e fjalimeve nga një radhë e gjatë folësish. Protesta kulmoi me një marshim përmes kryeqytetit amerikan dhe drejt Shtëpisë së Bardhë.
“Të them të drejtën ndihem e shkurajuar, për një sërë arsyesh. Hapi i ardhshëm është që ta vazhdojmë luftën, të vazhdojmë ta ngremë zërin, pasi e meritojmë të dëgjohemi”, thotë aktivistja Jessica Gibson-Spencer.
Protesta, e organizuar nga organizata e grave “Women’s March”, synoi gjithashtu të shtojë trysninë ndaj Presidentit Joe Biden për të ndërmarrë hapa ekzekutivë për të mbrojtur të drejtën e abortit.
“Nuk ishte një rastësi, ishte e planifikuar. Ky ishte plani. Dhe tani ne nuk do të heshtim. Të gjithë e dimë që kemi zë të fortë. Do të luftojmë dhe nuk do të lejojmë të na vënë nën kontroll”, thotë drejtorja ekzekutive e organizatës “Women’s March”, Rachel O’Leary Carmona.
Vetëm një ditë më parë, Presidenti Biden u shpreh se rrëzimi i së drejtës nga Gjykata e Lartë ishte një formë e dhimbshme e ushtrimit të pushteti politik. Ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv të premten për të lehtësuar qasjen e grave tek shërbimet për të ndërprerë shtatëzaninë.
Urdhëri ekzekutiv udhëzon departamentit e shëndetësisë që të zgjerojë qasjen për gratë që të abortojnë nëpërmjet ilaçeve, si dhe të sigurojë që gratë të kenë qasje tek shërbimet e urgjencave, ato të planifikimit familjar dhe kontraceptivët. Urdhëri gjithashtu parashikon mbrojtje për doktorët, gratë që udhëtojnë për të abortuar dhe klinikat e lëvizshme të abortit përgjatë kufijve të shteteve.
Vendimi i Gjykatës së Lartë ua riktheu shteteve të drejtën për ta shpallur abortin të paligjshëm. Për rrjedhojë, gratë me shtatëzani të padëshiruar duhet të vendosin nëse do të udhëtojnë drejt një shteti tjetër amerikan ku procedura vazhdon të jetë e ligjshme, të blejnë në internet ilaçe për të abortuar, ose të kryejnë një abort të rrezikshëm në rrethana të jashtëligjshme.