Në Shqipëri u festua sot Kurban Bajrami. Mijëra besimtarë mylimanë u mblodhën në sheshin Skënderbej për të uruar njëri tjetrin, ndërsa udhëheqësit fetarë bënë thirrje të ndihmohen të moshuarit dhe të varfërit.
Shumë prej tyre morën pjesë në ritualet e festës në sheshin Skënderbej, ku folën para tyre edhe përfaqësuesit më të lartë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Kryetari i Komunitetit, haxhi Bujar Spahiu, tha në fjalën e tij se kjo është dita për të kuptuar se vlera dhe dinjiteti njerëzor janë shumë të çmuara dhe se atyre u duhej kushtuar rëndësi e madhe.
“Kujdesuni për familjen tuaj, se është qeliza e jetës. Kujdesuni për të moshuarit dhe për të varfërit, dhe qëndrojuni atyre pranë. Të rinjtë të mos largohen nga vendi, por ta projektojnë të ardhmen në Shqipëri dhe në shtëpinë e tyre, dhe të shkollohen me një moral dinjitoz, duke qëndruar larg tundimeve negative dhe individualizmit” - tha kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, haxhi Bujar Spahiu.
Komuniteti mysliman është më i madhi në Shqipëri për nga numrat e besimtarëve. Por harmonia dhe respekti me komunitetet e tjera katolike, ortodokse, bektashi dhe bashkësi më të vogla, është shembullore historikisht.
Asnjëherë në Shqipëri nuk janë regjistruar në shekuj konflikte me motive fetare, ndërsa liria e besimit ka qenë gjithmonë praktikisht e plotë dhe ligjerisht e garantuar, duke lënë mënjanë dekadat e diktaturës komuniste.
Duke u vetshpallur si shtet ateist dhe antifetar, regjimi komunist vrau me dhe pa gjyq qindra klerikë dhe besimtarë të gjithë besimeve si dhe shkatërroi pothuaj gjithë objektet e kultit në Shqipëri.