Lidhje

Mali i Zi: Shumica e ministrave të pranishëm votojnë në favor të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe


Qeveria e Malit të Zi votoi pro marrëveshjes së propozuar për marrëveshjen bazë me Kishën Ortodokse Serbe.

Trembëdhjetë ministra votuan pro, pesë kundër, kurse tre ministra tjerë nuk morën pjesë në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri Dritan Abazoviq tha se “teksti i projekt-marrëveshjes është miratuar” .

"Konfirmoj se më shumë se dy të tretat e numrit të ministrave ishin të pranishëm. Por nëse është e nevojshme, do të ketë votim pas shtatë ditësh ose edhe votim elektronik. Unë nuk mund të flas në emër të ministrave që nuk ishin të pranishëm këtu, “ tha kryeministri Dritan Abazoviq.

Ministri dhe zëvendëskryeministri Rashko Konjeviq e kundërshtoi kryeministrin duke theksuar se “marrëveshja bazë mund të miratohet nëse vendoset me shumicë.”

“Nuk ka shumicë të cilësuar të të pranishmëve, por të të gjithëve. Shumica e cilësuar prej 21 është 14. Jam dakord të votoj sërish javën e ardhshme", tha zoti Konjeviq.

Qeveria paraprakisht bëri të ditur “ se për marrëveshjen bazë do të vendoset me shumicë të cilësuar, edhe pse kjo nuk parashikohet në rregulloren e qeverisë, por me marrëveshjen e koalicionit të partive në pushtet”.

Ata kanë ra dakord që qeveria të deklarohet në këtë mënyrë për çështjet “me interes jetik shtetëror dhe kombëtar”, siç janë marrëveshja bazë, nisma rajonale “Ballkani i hapur” dhe regjistrimi i popullsisë. Qeveria, megjithatë, nuk ka përcaktuar se çfarë është shumica e cilësuar, e cila në parlament nënkupton dy të tretat apo tre të pestat e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Edhe të premten një grup qytetarësh u mblodhën për të katërtën herë para qeverisë së Malit të Zi duke kundërshtuar miratimin e marrëveshjes bazë në seancën e sotme.

Një numër i madh i policëve ishin të pranishëm para qeverisë.

Në shenjë proteste, qytetarët bllokuan për pak kohë qarkullimin në bulevardin përballë qeverisë.

Pas publikimit të versionit të punës të marrëveshjes bazë, më shumë se 3000 qytetarë nënshkruan një peticion, duke kundërshtuar fuqishëm synimin e qeverisë së Malit të Zi për të nënshkruar marrëveshjen bazë me Kishën Ortodokse Serbe.

Mosmarrëveshjet mes shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe filluan që në vitin 2006 me pavarësinë e këtij shteti. Kisha Ortodokse Serbe, e cila sipas analistëve mbetet nën ndikimin e politikës së Beogradit dhe të Moskës.

Përveç çështjeve të pazgjidhura rreth pronës , analistët thonë se kisha serbe është përzier disa herë edhe politikisht në çështjet malazeze, përfshi organizimin e protestave përpara zgjedhjeve që rrëzuan aleatët qeverisës të Gjukanoviqit në vitin 2020.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshjeje të afërt mes qeverisë në Podgoricë dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke u munduar kështu të ulë disi tensionet që përsëri e kanë përfshirë shtetin e vogël ballkanik.

Në anën tjetër kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u shpreh më 29 qershor se pavarësisht fërkimeve në koalicion, qeveria e tij do të nënshkruante një “marrëveshje bazë” që do të përmirësonte marrëdhëniet e ndjeshme me Kishën Ortodokse Serbe.

XS
SM
MD
LG