Ministria e Shëndetësisë në Kosovë vendosi të enjten të fillojë me dhënien e dozës së katërt të vaksinës kundër COVID-19.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti, i tha Zërit të Amerikës se vaksinimi me këtë dozë pritet të fillojë nga dita e premte.
“Komiteti për imunizimin kundër COVID-19 e ka parë të arsyeshme që të rekomandojë përdorimin e dozës së katërt të vaksinës kundër COVID-19 te grup-mosha mbi 60 vjeç, me kushtin që të njëjtit së paku 4 muaj më parë të kenë marr dozën e tretë”, tha ai.
Vendimi i ministrisë pasoi rritjen e numrit të personave të infektuar me COVID-19 javëve të fundit.
Fundi i muajit qershor dhe fillimi i muajit korrik shënuan rritje të rasteve të reja me COVID-19, në krahasim me muajt paraprak. Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, nga data 20 qershor deri më 7 korrik 2022 janë shumëfishuar rastet me COVID-19. Derisa më 20 qershor ishin 110 raste aktive, më 7 korrik numri i rasteve të reja ka mbërritur në 1 mijë e 843 raste.
Të enjten në Kosovë u shënuan 258 raste të reja të infektimeve nga 810 teste të kryera. Shkalla e pozitivitetit në raport ndërmjet testimeve dhe raste pozitive në ditët e fundit është në rreth 30 për qind.
Rastet e reja të regjistruara me COVID-19 ka shtuar edhe numrin e pacientëve të shtrirë nëpër spitalet e Kosovës. Aktualisht janë të shtrirë 25 qytetarë të infektuar një rritje kjo krahasuar me datën 20 qershor kur nuk kishte asnjë të shtrirë në spitale.
Zoti Hoti thotë se ka qenë e pritshme rritja e rasteve të reja për shkak se e njëjta po ndodh në Evropë dhe rajon. Ai thotë se vendosja e masave kufizuese do të varet nga rrjedha e infektimeve.
“Megjithatë në momentin aktual ende nuk ka masa shtesë, shumë shtete në rajon po e konsiderojnë që bartja e maskës në hapësira të brendshme dhe rritja e vaksinimit për këtë mënyrë të sjelljes së virusit janë të pranueshme në këtë kohë, mirëpo në ministrinë e Shëndetësinë ekzistojnë trupa që bëjnë monitorimin e situatës dhe i rekomandojnë ministrit ndërmarrjen e masave të reja eventuale, pra në varësi të gjendjen epidemiologjike, në varësi të rasteve edhe prej vendeve prej nga vijnë mërgata jonë gjatë muajt e verës ne do të propozojmë dhe të marrim masa të tjera”, tha zoti Hoti.
Autoritetet shëndetësore po bëjnë thirrje për vaksinim me doza përforcuese, në një kohë kur ky proces është ngadalësuar muajve të fundit për shkak të situatës së qetë me COVID-19.
Deri më sot 823 mijë persona janë vaksinuar me dy doza të vaksinës apo rreth 45 për qind e popullsisë së përgjithshme, ndërsa 103 mijë me dozën përforcuese apo dozën e tretë të vaksinës.