Avokatët që përfaqësojnë Senatorin Lindsey Graham thanë të mërkurën se ai synon të apelojë kundër një fletëthirrjeje që e detyron atë të dëshmojë përpara një jurie të madhe në shtetin e Xhorxhias, e cila po heton veprimet e ish-Presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij pas zgjedhjeve të 2020-tës.
Senatori Graham është ndër personat e afërt dhe mbështetësit e ish-Presidentit Trump emrat e të cilëve u përfshinë në një kërkesë të Prokurores së Qarkut Fulton, në shtetin Xhorxhia, Fani Willis, në kuadrin e hetimeve që zyra e saj po kryen, rreth asaj që e quan “një plan i koordinuar nga fushata (elektorale) e zotit Trump, për të ndikuar tek rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit 2020 në Xhorxhia dhe gjetiu”.
Avokatët e Senatorit Graham, Bart Daniel dhe Matt Austin, thanë nëpërmjet një deklarate të mërkurën se senatori republikan “synon t’i drejtohet gjykatës, për ta apeluar fletëthirrjen dhe mendon se do ta fitojë çështjen”. Ata e kritikuan hetimin duke e cilësuar atë me motive politike.
“Kjo është e gjitha politikë. Qarku Fulton është angazhuar në një “gjueti” të koordinuar me Komisionin e 6 Janarin ( i cili po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit)”, thanë avokatët e zotit Graham. “Si Kryetar i Komisionit Juridik të Senatit zoti Graham veproi brenda të drejtës së tij për të diskutuar me zyrtarët e shtetit proceset dhe procedurat që lidhen me administrimin e zgjedhjeve”.
“Nëse fletëthirrja do të lihej në fuqi, ajo do të gërryente balancën kushtetuese të pushtetit dhe aftësinë e një anëtari të Kongresit për të kryer detyrën”, vazhdon më tej deklarata e avokatëve. Ata gjithashtu thanë se janë informuar nga hetuesit e Qarkut Fulton se Senatori Graham “nuk është as subjekt dhe as objekt i hetimit”.
“Nëse dëshmitarët vendosin ta apelojnë urdhrin për të dëshmuar përpara Jurisë së Madhe të posaçme, Prokurorja e Qarkut do të kundërpërgjigjet në gjykatën përkatëse, për të detyruar paraqitjen e tyre”, u shpreh në një mesazh të nisur me e-mail, Jeff DiSantis, zëdhënës i zyrës së prokurores së qarkut Fulton.
Në kërkesën e paraqitur të martën, Prokurorja Willis shkruante se Senatori Graham, një aleat i hershëm i ish-Presidentit Trump, i telefonoi të paktën dy herë sekretarit të Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, dhe anëtarëve të personelit të tij, në javët pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2020, kur zoti Trump humbi përballë demokratit Joe Biden. Gjatë këtyre telefonatave, Senatori Graham pyeti rreth rishqyrtimit të disa votave të dërguara me postë “për të parë mundësinë e një rezultati më të favorshëm për ish-Presidentit Donald Trump”, shkruhet në dokumentin e prokurorisë.
Prokurorja Willis kërkon që të detyrohet të bashkëpunojë edhe ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, i cili ishte ndër përfaqësuesit ligjorë të ish-Presidentit Trump gjatë përpjekjeve të passuksseshme të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, si dhe avokatët Kenneth Chesebro, Cleta Mitchell, Jenna Ellis, John Eastman dhe Jacki Pick Deason.
Zoti Giuliani po rimerr veten pas një operacioni në zemër, njoftoi të martën djali i tij Andrew Giuliani, i cili po drejton përkohësisht, në vend të babait të tij, emisionin radiofonik “The Rudy Giuliani Show”.
Për shkak se prokurorja po përpiqet të marrë dëshmitë e personave që jetojnë jashtë territorit të shtetit Xhorxhia, asaj iu desh t’i paraqiste kërkesat për t’u miratuar në gjykatë.
Hapi i ardhshëm është që këto kërkesa t’i dorëzohen prokurorit të zonës ku jeton secili prej dëshmitarëve të mundshëm, në mënyrë që t’i paraqiten gjykatësit lokal, gjatë një seance dëgjimore. Nëse gjykatësi vendos se personi është “një dëshmitar thelbësor dhe i nevojshëm” dhe se udhëtimi deri në Atlanta të shtetit të Xhorxhias, nuk do të jetë një barrë e tepruar mbi dëshmitarin e mundshëm, atëherë gjykatësi mund të lëshojë një urdhër për ta detyruar atë të dëshmojë përpara jurisë së madhe. Nëse dikush refuzon të zbatojë urdhrin, ndaj tij mund të ngrihen akuza për shpërfillje të gjykatës.