Pat Cipollone, ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë, gjatë kohës kur president i vendit ishte Donald Tump, pritet të dëshmojë të premten përpara komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm të 6 janarit në Kapitol. Lajmi u bë i ditur nga një person në dijeni të çështjes.
Zoti Cipollone, i cili sipas disa të dhënave i rezistoi përpjekjeve për t’u bërë pjesë e skemave të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, është shndërruar në një dëshmitar kyç për komisionin. Ai u thirr zyrtarisht për të deponuar javën e kaluar pas disa javësh trysnie publike për të dëshmuar në Kongres.
Personi në dijeni të kësaj çështjeje, i cili foli për agjencinë e lajmeve “Associated Press” në kushte anonimiteti, tha se zoti Cipollone pranoi të paraqitej para komisionit për një intervistë private, të transkriptuar.
Në detyrën e ekspertit kryesor ligjor të zotit Trump, zoti Cipollone ndodhej në Shtëpinë e Bardhë më 6 janar të vitit 2021, sikurse edhe gjatë takimeve të rëndësishme në javët e trazuara që pasuan zgjedhjet presidenciale, kur zoti Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, mes tyre ligjvënës republikanë si dhe avokati Rudy Giuliani, po komplotonin rreth mënyrave për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Dëshmia e zotit Cipollone para komisionit vjen pas dëshmisë dramatike të javës së kaluar të ish-ndihmëses së Shtëpisë së Bardhë Cassidy Hutchinson.
Ndihmësja e ish-shefit të Personelit Mark Meadows, befasoi me rrëfimet e saj lidhur me atë që kishte parë e dëgjuar gjatë atyre javëve, duke u dhënë ligjvënësve ndoshta deponimin më të qartë që tregon se zoti Trump ose disa nga aleatët e tij, mund të përballen me përgjegjësi penale.
Bazuar në dëshmitë e dhëna në komision zoti Cipollone e ka paralajmëruar me forcë e në mënyrë të përsëritur ish-Presidentin Trump dhe aleatët e tij mbi rrezikun që paraqet çdo iniciativë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, duke kërcënuar madje me dorëheqje ndërsa zoti Trump planifikonte ndryshimeve thelbësore në Departamentin e Drejtësisë.
Një dëshmitar tha se zoti Cipollone iu referua një dokumenti të propozuar, ku parashtroheshin pretendime të rreme për manipulim me zgjedhjet, duke e quajtur atë si një "pakt për të kryer vetëvrasje" politike.
Por ndërsa intervista e tij në komisionin e 6 janarit mund të shihet si një përparim në raport me hetimet, mbetet e paqartë se sa informacion do të jetë i gatshëm të japë zoti Cipollone. Si një nga ekspertët kryesorë të administratës, ai mund të thotë se disa ose të gjitha bisedat e tij me zotin Trump mbrohen nga privilegji ekzekutiv që gëzon një president, duke mos dhënë në këtë mënyrë detaje mbi to.
Megjithatë, komisioni beson se ai është një dëshmitar vendimtar që mund t'u sigurojë atyre informacione të dorës së parë rreth përpjekjeve të shumta të aleatëve të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e Kolegjit Zgjedhor, përfshirë një strategji për të zgjedhur elektorë të rinj që do të votonin në favor të zotit Trump, në shtatë shtete të lëkundura ku në zgjedhje fitoi zoti Biden. Ligjvënësit thanë gjithashtu se emri i zotit Cipollone rezulton në një numër deponimesh jopublike që janë bërë në komision, si një zë i arsyeshëm, kundër përpjekjeve për të emëruar në postin e prokuror të përgjithshëm, një besnik të zotit Trump, i cili përkrahte teoritë e manipulimit të zgjedhjeve, si dhe një plan që zoti Trump t’u bashkohej mbështetësve të tij në një marshim drejt Kapitolit më 6 janar.
Javën e kaluar zonja Hutchinson dëshmoi se disa ditë përpara sulmit në Kapitol, zoti Cipollone paralajmëroi rreth atyre që i quajti "shqetësime serioze ligjore" nëse zoti Trump shoqëronte protestuesit për në Kapitol, duke thënë se: Ne duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodhë".
Mëngjesin e 6 janarit, zoti Cipollone i kërkoi zonjës Hutchinson, ta njoftonte atë për çdo lëvizje të mundshme të presidentit e të sigurohej që të mos shkonte në Kapitol.
Nëse zoti Trump do të shkonte atje, zonja Hutchinson tha se zoti Cipollone kishte paralajmëruar se do të ngriheshin një varg akuzash penale.
Ndërsa zoti Cipollone zhvilloi një intervistë jozyrtare në muajin prill, komisioni ka kërkuar bashkëpunimin zyrtar të tij pas provash që tregonin rëndësinë e tij për të dëshmuar.
"Dëshmitë tregojnë se Pat Cipollone dhe zyra e tij u përpoqën të bënin atë që ishte e drejtë", tha në një seancë dëgjimore muajin e kaluar ligjvënësja republikane Liz Cheney, nënkryetare e komisionit. “Ata u përpoqën të ndalonin një sërë planesh të Presidentit Trump lidhur me 6 janarin”.
"Ne mendojmë se populli amerikan meriton të dëgjojë personalisht nga zoti Cipollone", shtoi ajo.